Trafik kokaine me vlerë 80 milionë paund, gjyshja ‘gangstere’ dhe familja e saj dënohen me mbi 85 vite burg

19/07/2025 07:47

Një e moshuar nga Londra, e njohur si “Mbretëresha e Bletëve”, është dënuar me 20 vite burg pasi drejtoi një rrjet familjar që shpërndante kokainë me vlerë mbi 80 milionë paund në Mbretërinë e Bashkuar.

Deborah Mason, 65 vjeç, udhëhiqte trafikun nga shtëpia e saj në Tufnell Park, në veri të Londrës, duke përfshirë në aktivitet pothuajse të gjithë familjen e saj të afërt, madje duke bërë edhe “ekskursione” familjare me nipërit për të dorëzuar drogën.

Sipas prokurorisë, Mason kishte ndërtuar një strukturë të sofistikuar me ndihmën e motrës së saj, tre vajzave, djalit, partnerëve të tyre dhe një shoqeje të familjes. Anëtarët e këtij rrjeti fitonin mbi 1,000 paund në ditë, ndërsa importuan rreth një ton kokainë gjatë vitit të kaluar.

Mason u arrestua në maj të vitit të kaluar, ndërsa pamjet e policisë treguan momentin kur ajo u konfrontua nga oficerët në shtëpi. Në video, ajo dëgjohet duke thënë: “Çfarë po ndodh, ju lutem?”, përpara se të shpërthente: “Mua po më arrestoni? Mua? Hajde mos bëni shaka.”

E vetëquajtura “Gjyshe gangstere” e përdorte fitimin e saj jo vetëm për udhëtime luksoze në Dubai, Bahrein dhe Turqi (ku kishte planifikuar ndërhyrje estetike), por edhe për blerje të çuditshme – siç u zbulua në gjyq, ajo kishte blerë një jakë dhe zinxhir Gucci për macen e saj në vlerë prej 400 paundësh.

Policia e Londrës tha se rrjeti i drejtuar nga Mason shpërndante kokainë në qytete si Bradford, Leicester, Birmingham, Bristol dhe Cardiff, nga prilli deri në nëntor 2023. Për komunikim, ata përdornin aplikacionin e enkriptuar Signal, por policia arriti të analizojë mijëra mesazhe gjatë hetimeve.

Në total, gjashtë anëtarë të familjes u dënuan me më shumë se 85 vite burg, ndërsa njëra nga të akuzuarat, Chloe Hodgkin, e cila është shtatzënë, do të dënohet në një datë të mëvonshme. Kendall dhe Reggie Bright gjithashtu pranuan akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje dhe posedim të pasurisë kriminale, pasi në shtëpitë e tyre u gjetën mbi 15,000 paund.

Sipas prokurorisë, Mason kishte përfituar edhe mbi 50,000 paund përmes ndihmave sociale, ndërsa në një fotografi të paraqitur gjatë gjyqit, ajo shihej me 7,000 paund në dorë dhe shkruante se shpresonte të fitonte 90,000 paund deri në fund të vitit.

Një moment befasues në gjyq ishte kur motra e saj, Tina Golding, e quajti shpërndarjen e drogës si “ditë familjare në udhëtim”, ku nipërit vendosnin në navigim vendndodhjen e destinacionit dhe ata “thjesht udhëtonin atje ku fëmijët kishin zgjedhur”.

Hetuesi kryesor, Detektiv Jack Kraushaar deklaroi: “Ky ishte një operacion i sofistikuar. Ata nuk kishin asnjë ide që po hetoheshin. Dënimi i sotëm duhet të shërbejë si paralajmërim për këdo që mendon të merret me këtë lloj krimi.”

Top Channel