Tjetër tragjedi në Tomorrowland! Pas zjarrit që përfshiu skenën, një grua kanadeze humb jetën gjatë festivalit

19/07/2025 17:59

Një grua kanadeze, 35 vjeçe, humbi jetën pak orë pasi nisi festivali i muzikës elektronike Tomorrowland, në qytetin Boom pranë Antwerpës, Belgjikë. Ajo ishte pjesë e dhjetëra mijëra të pranishmëve që morën pjesë në natën e hapjes.

Zyra e prokurorit në Antwerp konfirmoi se po heton vdekjen e gruas, e cila u dërgua menjëherë në spital pasi u ndje keq gjatë festivalit. Fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë në spital. Autoritetet nuk kanë zbuluar ende shkakun e vdekjes dhe hetimet vazhdojnë.

Debby Wilmsen, zëdhënëse e festivalit, tha për mediat: “Ajo mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Universitar të Antwerpës. Më vonë morëm lajmin e trishtë për ndarjen e saj nga jeta. Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe miqtë e saj. Prokuroria e Antwerp-it po heton rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe do të japë informacion shtesë sapo të ketë rezultate.”

Festivali Tomorrowland u godit rëndë vetëm dy ditë para nisjes nga një zjarr i fuqishëm që shkatërroi skenën kryesore tematike të ngjarjes, e ndërtuar me shumë kujdes dhe kreativitet, me një koncept të veçantë të akullit. Pamjet dramatike treguan një shtëpizë e flakëve të mëdha dhe tym të dendur që mbuloi zonën.

Megjithatë, organizatorët ishin të vendosur që festivali të vazhdonte edhe pa skenën kryesore, duke përballuar sfidën me vendosmëri dhe duke garantuar një përvojë të paharrueshme për rreth 400,000 vizitorë që priteshin gjatë fundjavës dhe javës në vijim.

Skena e shkatërruar ishte planifikuar të presë emra të mëdhenj si David Guetta dhe Swedish House Mafia, por zjarri nuk e ndali entuziazmin e mijëra fansave që u mblodhën për të nisur festimet, edhe pse ceremonia e hapjes u vonua pak për shkak të pasojave të zjarrit.

Top Channel