
Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur pasditen e sotme në plazhin e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme (i njohur si Kavaleshenca) në Durrës, ku janë përfshirë disa pushues dhe një punonjës i plazhit që kujdesej për rregullin në plazh dhe mirëmbajtjen e çadrave.
Përplasja ka nisur pas një paralajmërimi që punonjësi i plazhit u ka bërë dy të rinjve, të cilët po luanin me top pranë zonës së çadrave, duke shqetësuar pushuesit e tjerë. Kjo ka shkaktuar një debat verbal, i cili më pas ka degraduar në dhunë fizike.
Sipas burimeve, punonjësi u ofendua dhe u shty nga të rinjtë, duke e hedhur në tokë. Situata u përshkallëzua për pak minuta, por fatmirësisht u neutralizua falë ndërhyrjes së pushuesve të tjerë, shumica e të cilëve janë punonjës policie, që ndodheshin pranë dhe arritën të qetësonin palët.
Në lidhje me konfliktin nuk ka pasur asnjë njoftim në policinë e Durrësit, duke e mbyllur rastin me aq, por për disa pushues të pranishëm ngjarja është tejet shqetësuese pasi lidhet me sigurinë në një plazh që duhet të jetë nga më të sigurtët.
Top Channel