
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi sot takimin me liderin e Nismës, Fatmir Limajn, si përpjekje për të arritur një marrëveshje që do ta nxirrte vendin nga bllokada institucionale që zgjat prej muajit prill.
Nuk dihet nëse ka dakordim mes palëve për marrëveshje.
Gjatë paradites, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Teksa afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese po afrohet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës paralajmëroi se nëse këto ditë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë javën e ardhshme e para e shtetit do t’i drejtohet Kushtetueses.
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë argumentojnë se ndryshimi i votimit nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, për kryeparlamenetarin, nga i hapur në të mbyllur, është jokushtetues. Por, LVV-ja argumenton të kundërtën. LVV-ja kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Top Channel