Ngec armëpushimi në Gaza, Hamas akuzon Izraelin se nuk do marrëveshje për të ndalur luftimet

19/07/2025 12:43

Dega e armatosur e grupit militant palestinez Hamas akuzoi të premten Izraelin për bllokimin e marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

Negociatorët nga të dyja palët janë në bisedime indirekte në Katar që nga 6 korriku, me qëllim arritjen e një armëpushimi 60-ditor në konflikt, që parashikon lirimin e 10 pengjeve.

Megjithatë, pas gati dy javësh, nuk ka patur përparim dhe secila palë fajëson tjetrën për mospranimin e kërkesave kryesore.

Për Izraelin, kërkesat përfshijnë shkatërrimin e Hamasit si forcë luftarake dhe kërcënim sigurie, ndërsa Hamas kërkon garanci më të forta për një paqe të qëndrueshme, tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza dhe lirimin e fluksit të ndihmave humanitare.

Në një deklaratë video të transmetuar të premten, zëdhënësi i tha se Hamas ka “propozuar gjithmonë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të kthente të gjitha pengjet njëherësh”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë se do të ishte i gatshëm të hynte në bisedime për një armëpushim afatgjatë, pasi të arrihet një ndalim i përkohshëm i luftimeve.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, që shkaktoi vdekjen e 1,219 personave, shumica civilë, sipas një bilanci të AFP-së bazuar në të dhëna zyrtare.

Gjithsej janë marrë peng 251 persona, prej të cilëve 49 janë ende të mbajtur, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se janë vrarë. Goditjet hakmarrëse të Izraelit kanë shkaktuar vdekjen e 58,667 palestinezëve

 

 

Top Channel