Mourinho i bën “nder” Asllanit? Portugezi kërkon në Turqi Hakan Calhanoglun, mesfushori shqiptar mund të përfitojë

19/07/2025 16:07

Zhvillimet më të fundit rreth mesfushës së Interit po rikthejnë në qendër të vëmendjes emrin e Kristjan Asllanit.

Teksa zikaltrit e kishin nxjerrë shqiptarin në shitje gjatë kësaj merkatoje vere, një skenar i ri po merr formë: qëndrimi i tij në “San Siro”. Dhe për këtë, në mënyrë indirekte, mund të ketë ndikuar askush tjetër përveçse José Mourinho.

Sipas raportimeve nga Turqia, trajneri portugez i ka kërkuar klubit të Fenerbahçes të bëjë gjithçka për të sjellë Hakan Calhanoglun në Stamboll, duke i ofruar numrin 10 dhe madje edhe shiritin e kapitenit. Një ofertë joshëse, që bashkë me një pagë prej 6 milionë eurosh plus bonuse, mund të bëhet realitet nëse lojtari vendos të rikthehet në vendlindje.

Galatasaray, klubi tjetër turk i interesuar, deri tani nuk ka bërë asnjë ofertë zyrtare, pavarësisht se është lidhur vazhdimisht me emrin e Calhanoglu. Madje drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka shprehur publikisht pakënaqësinë për mënyrën se si turqit kanë trajtuar situatën, duke nënvizuar mungesën e respektit dhe ofertave konkrete.

Ndërkohë, vetë Calhanoglu pritet në Milano javën e ardhshme për të kryer teste të thelluara mjekësore, pas dëmtimit që e mbajti larg fushave dhe i mohoi pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube. Edhe pse nuk ka kërkuar largimin, presioni nga Turqia dhe sidomos lëvizja e Mourinhos mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.

Nëse Calhanoglu largohet, atëherë Interi do të duhet të mendojë seriozisht për zëvendësimin e tij – dhe këtu hyn sërish në skenë Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar, i cili shihej si një nga lojtarët në dalje, mund të përfitojë nga ky “efekt domino” dhe të rifitojë hapësirat e humbura në tre vite.

Një “nder” i vërtetë nga Mourinho për Asllanin, që në vend të një transferimi, mund të nisë një sezon të ri me shumë më tepër minuta dhe përgjegjësi.

Top Channel