
Gaza po përjeton një tjetër ditë të përgjakshme. Të paktën 90 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që nga agimi i së premtes, kanë konfirmuar burime mjekësore për rrjetin Al Jazeera.
Në mesin e viktimave janë 36 civilë që po prisnin ndihma humanitare në një nga pikat e shpërndarjes.
Bombardimet kanë përfshirë disa zona të Rripit të Gazës, përfshirë Khan Younis dhe Rafah, duke shkaktuar shkatërrim të madh dhe panik mes popullatës së rraskapitur nga muajt e gjatë të luftës.
Sipas mjekëve në spitalet lokale, numri i viktimave pritet të rritet, pasi shumë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike dhe mungesa e pajisjeve mjekësore e bën trajtimin e tyre pothuajse të pamundur.
Situata humanitare në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm pas rifillimit të operacioneve ushtarake të Izraelit në muajin maj. Sulmet kanë prekur jo vetëm objektiva të dyshuara ushtarake të Hamasit, por gjithnjë e më shpesh edhe infrastrukturë civile, shkolla, spitale dhe qendra ndihmash.
Organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe OKB kanë ngritur alarmin për shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar se civilët nuk po kursehen nga sulmet, madje shpesh janë në vijën e parë të goditjeve.
Izraeli ka deklaruar se veprimet ushtarake kanë si objektiv eliminimin e militantëve të Hamasit dhe çmontimin e rrjeteve të tyre nën tokë, por komuniteti ndërkombëtar vijon të kërkojë armëpushim të menjëhershëm dhe hapje të korridoreve të sigurisë për ndihmat humanitare.
Ndërkohë, populli i Gazës mbetet i mbyllur në një hapësirë gjithnjë e më të ngushtë dhe të rrezikshme, pa mundësi evakuimi, me mungesë të thellë ushqimi, uji dhe ndihme mjekësore – ndërkohë që numri i viktimave rritet nga dita në ditë.
Top Channel