Ekskluzive/ “Erdhëm për të kërcyer, na detyruan të prostituojmë”! Kolumbianet “mbahen peng” në Tiranë: Policia na ka marrë pasaportat

19/07/2025 19:32

Ato janë si qindra vajza e gra në botë që u premtohet një jetë më e mirë dhe që, për fat të keq, ngecin në rrjetat e trafikantëve duke u detyruar të ushtrojnë prostitucionin.

Stefania jetonte në Kolumbi dhe aplikoi për punë në Shqipëri. Qëllimi i saj ishte të punonte si balerinë nate. Por sot ajo, bashkë me disa vajza të tjera nga Kolumbia, janë nën akuzë për prostitucion, me një pasaportë të bllokuar që nuk e lejon të largohen e, veç të gjithave, pa asnjë ndihmë.

“Ne jemi kolumbiane, kemi ardhur këtu të mashtruara nga persona që na sollën, sepse erdhëm me qëllimin për të kërcyer. Kur mbërritëm këtu, kishim borxhe dhe na thanë se duhet të paguajmë, duke qëndruar këtu e duke punuar si prostituta. Ne pranuam që ta bëjmë, të shlyejmë borxhin dhe më pas të largoheshim. Kur u bëmë gati të ktheheshim, na arrestuan në aeroport”, tha Stefania.

Por autoritetet e policisë i thonë TCH se po përdoret një skemë tjetër e ushtrimit të prostitucionit nga shtetase të huaja, që – siç rezulton nga disa raste – udhëtojnë në Shqipëri e qëndrojnë nga dy deri në katër muaj, duke u zëvendësuar me të tjera.

“Ne bëjmë kërcime seksi para meshkujve, por nuk jemi prostituta. Për të ardhur në Shqipëri e për të punuar, ne gjetëm një kontakt, pasi në Kolumbi situata nuk është e mirë. Ne jemi nëna beqare dhe menduam një mënyrë për të siguruar para. Kur erdhëm këtu, e kuptuam se nuk ishim për atë punë, por se kishim rënë në një rrjet prostitucioni. Këta persona janë identifikuar nga autoritetet dhe një prej tyre është në burg”, shtoi ajo.

Vajzat i kanë familjet në Medelin dhe kërkojnë ndihmë për t’u larguar, megjithëse çështja ndaj tyre sapo është mbyllur dhe pritet të gjykohen, si shumë të tjera, nën gjykim në mungesë.

“Ne kemi qëndruar dy muaj në Pogradec në paraburgim. Tani që ka nisur procesi, kemi dy muaj në Tiranë dhe verifikimet vijojnë ende. Nuk na lënë të ikim. Nuk kemi pasaportë pasi na janë marrë. Jemi pa shtëpi, pa ushqim dhe deri tani na ka ndihmuar një fondacion”, përfundoi Stefania.

Top Channel