
Barcelona ka ndryshuar papritur kursin në merkato. Pas javësh përpjekjesh për të siguruar shërbimet e Nico Williams, katalanasit kanë dështuar përfundimisht në garën për yllin e Athletic Bilbaos, i cili vendosi të rinovojë me klubin bask.
Por Barça nuk ka humbur kohë dhe ka lëvizur shpejt në drejtim të një goditjeje surprizë: Marcus Rashford është shumë pranë transferimit te blaugranat!
Sipas raportimeve të fundit, është arritur një marrëveshje verbale në parim mes të gjitha palëve për një huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa në ditët në vijim priten edhe testet mjekësore në Barcelonë.
Manchester United është gati të autorizojë udhëtimin e sulmuesit anglez drejt Spanjës sapo të finalizohen detajet e marrëveshjes. Rashford, i cili sezonin e kaluar pati një formë të luhatshme dhe humbi vendin titullar te “Djajtë e Kuq” dhe u huazua te Aston Villa gjysmën e dytë të sezonit, sheh te Barça një mundësi ideale për rilindjen e karrierës.
Për Barcelonën, kjo është një lëvizje strategjike: humbja e objektivit kryesor, Nico Williams, ka sjellë nevojën urgjente për të përforcuar krahët e sulmit dhe ardhja e një lojtari me eksperiencë si Rashford mund të shuajë kritikat ndaj drejtuesve për ecurinë e merkatos.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Rashford pritet të prezantohet gjatë javës së ardhshme si lojtari më i ri i Barcelonës – një emër i madh për një klub që kërkon rikthimin në majat e futbollit europian.
Top Channel