
Administrata Trump po përballet sërish me presion për shkak të menaxhimit të dosjeve Epstein, pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykate federale të bëjë publike dëshmitë e dhëna para jurisë së madhe, vite më parë, në lidhje me rastin e Jeffrey Epstein.
Në kërkesën zyrtare, Departamenti i Drejtësisë argumenton se interesi publik për çështjen Epstein mbetet i lartë, dhe se transparenca është në funksion të interesit të publikut.
“Interesi i publikut për çështjen Epstein nuk është shuar. Duke marrë parasysh këtë interes të vazhdueshëm dhe të ligjshëm, qeveria kërkon hapjen e dëshmive të jurisë së madhe që lidhen me Epstein,”, thuhet në dosjen e dorëzuar.
Vendimi vjen pasi Presidenti Donald Trump dhe Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi urdhëruan lëvizjen të enjten në mbrëmje, pas kritikave të forta publike për trajtimin e dokumenteve të ndjeshme të lidhura me Epstein. Bondi, e cila më parë kishte premtuar se do të bënte publike sa më shumë dokumente që posedon Departamenti i Drejtësisë, u tërhoq nga ky premtim javën e kaluar, ku theksoi se “nuk ka prova që Epstein mbante një listë klientësh” apo se ai “është vrarë”.
Në dosje theksohet gjithashtu se një rishikim i fundit nga departamenti nuk gjeti asnjë provë që justifikon hetim të mëtejshëm për persona të tretë që nuk janë akuzuar.
Lëvizja vjen pas publikimit të një raporti që përfshinte një letër për ditëlindjen që i ishte dërguar Epsteinit në 2003 me emrin e Trump dhe një vizatim të një gruaje nudo. Trump e mohoi historinë dhe ka ngritur padi kundër kompanisë mëmë të Wall Street Journal.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Bazuar në sasinë qesharake të publicitetit që i është dhënë Epstein-it, i kërkova Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të dorëzojë të gjitha dëshmitë e mundshme të jurisë, me kusht që të miratohen nga gjykata. Ky mashtrim, i orkestruar nga demokratët, duhet të ndalojë, tani!”
Dosja është firmosur nga Bondi dhe zëvendësprokurori Todd Blanche, të cilët shkruajnë se “zyrtarë publikë, ligjvënës, analistë dhe qytetarë të zakonshëm vijojnë të jenë të interesuar për çështjen Epstein” dhe kjo justifikon hapjen e materialeve.
Tani, fjala i mbetet një gjyqtari federal, Richard M. Berman, i cili më parë kishte mbikëqyrur çështjen penale ndaj Epstein para se ai të vdiste në 2019, vdekje e cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje.
Sidoqoftë, çështja nuk është e thjeshtë: përpara publikimit të çdo materiali, gjykata duhet të konsultohet me viktimat dhe çdo person të përmendur në dëshmitë që nuk është akuzuar zyrtarisht, për të respektuar ligjet federale mbi privatësinë.
Dëshmitë e jurisë janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që Departamenti i Drejtësisë ka në lidhje me hetimet për Epstein – pjesa më e madhe prej tyre nuk është bërë kurrë publike. Sipas CNN, FBI kishte nisur një operacion intensiv për shqyrtimin dhe redaktimin e dokumenteve që mbetën të fshehta. Problemi ishte se shumë prej faqeve dilnin thuajse të gjitha të zeza, për shkak të redaktimeve të detyruara nga ligji.
Kërkimi i autorizimit nga gjykata mund të jetë mënyra që departamenti të heqë përgjegjësinë për vendimmarrjen, duke ia lënë gjithçka gjyqësorit. Deri tani, disa qindra dokumente janë publikuar në lidhje me rastin Epstein, por pjesa më e madhe është mbajtur e fshehur për të mbrojtur viktimat dhe individët që nuk janë proceduar ligjërisht.
Top Channel