
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë të bëjë publike të gjitha dëshmitë e dhëna përpara jurisë së madhe në lidhje me çështjen Jeffrey Epstein.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi se kjo do të ndodhë “vetëm nëse ka miratimin e gjykatës”. Por ai shtoi se edhe në këtë rast, sipas tij, nuk do të jetë e mjaftueshme për kritikët.
“Kam kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë të publikojë të gjitha dëshmitë përpara Jurisë së Madhe në lidhje me Jeffrey Epstein, me kushtin e vetëm: miratimin nga Gjykata. Me këtë thënë, edhe nëse Gjykata do të jepte miratimin e saj të plotë dhe të palëkundur, asgjë nuk do të ishte e mjaftueshme për ata telashxhinj dhe lunatikë të majtë radikalë që po e kërkojnë këtë. Për ta, nuk ka kurrë mjaft. Gjithmonë duan më shumë, më shumë, më shumë. MAGA!”, shkruan Trump.
Epstein, një financier miliarder, u arrestua në vitin 2019 nën akuzat për trafikim seksual të të miturve, por më vonë u gjet i vdekur në qelinë e tij, në një rast që ngjalli dyshime dhe teori të shumta konspirative në SHBA dhe përtej. Rasti i tij ka përfshirë figura të njohura të politikës, biznesit dhe shoubizit botëror.
Deklarata e Trump vjen mes thirrjeve në rritje nga aktivistë, gazetarë dhe ligjvënës për më shumë transparencë lidhur me emrat dhe provat që lidhen me rrjetin e dyshuar të abuzimeve të Epstein. Kritikët e Presidentit e akuzojnë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë, ndërsa përkrahësit e tij e shohin si një lëvizje për të “çmontuar shtetin e thellë”.
Publikimi i mundshëm i dëshmive të jurisë së madhe do të ishte një hap i pazakontë, pasi ato përgjithësisht mbeten të klasifikuara për të mbrojtur procesin gjyqësor dhe dëshmitarët.
Top Channel