Cërriku pastron më mirë, bashkia ka realizuar projektin që trajton mbetjet e fermerëve duke i dekompozuar

19/07/2025 12:26

Bashkia e Cerrikut është e para bashki në vend e cila prej 4 vitesh, falë një projekti të mbështetur nga BE, nuk i djeg mbetjet e saj bujqësore, por i komposton, me një produkt përfundimtar 100% organik i cili u shërben fermerëve, bashkisë për nevojat e saj dhe së fundi del edhe në treg duke e bërë këtë ndërmarrje kompostimi të vetëfinancueshme.

“Ne sot bëjmë një menaxhim në të gjithë bashkisë së Cerrikut ku mbledhim të gjithë mbetjet bujqësore. Më parë mbetjet bujqësore hidheshin vend e pa vend, nëpër kanale sot kemi një ndërgjegjësim, ku të gjithë fermerët i sjellin këtu dhe ne në këmbim i japim një pjesë të kompostit.

Është një kompost 100% bio kemi bërë analizat në Institutin shtetëror në Tiranë. Është e provuar në disa nga serat në territorin tonë dhe kanë pasur rezultat shumë të mirë”, tha kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andis Salla.

Por Cërriku është e vetmja bashki në vend që aplikon këtë model të cilin sipas kryeministrit Rama ta aplikojnë të gjitha bashkitë, kjo edhe si  një nga kërkesat e BE që të paktën 30% e mbetjeve duhet të riciklohen.

“Përveç se është një nga kushtet për në BE, është një mundësi shumë e mirë për të pasur një qytet të pastër. Kemi një qytet të pastër, por tashmë riciklojmë 30% por edhe më shumë”, tha kryebashkiaku.

Vetëm në bashkinë e vogël të Cerrikut çdo vit 300 ton mbetje të gjelbra digjeshin duke emetuar CO2. Procesi i kompostimit përfshin disa faza, që nga mbledhja dhe ruajtja e materialit organik deri në fazën përfundimtare të dekompozimit.

“Ka filluar me një kapacitet të ulët, sa vjen e jemi në rritje. Sot përpunojmë 300 tonë mbetje të gjelbra në vit, 150 tonë material përfundimtar. Jemi ende në rritje dhe brenda vitit synojmë të dyfishojmë kapacitetin. Ne mbledhim mbetjet e gjelbra, i sjellim në këtë pikë ku bëjmë dhe ndarjen e parë, grihet materiali dhe kalojnë disa procedura të tjera, një protokoll që ndiqet korrektësisht për të pasur një kompost cilësor”, tha Enea Taçja, kreu i shërbimeve publike në Cërrik.

Bashkia e Cerrikut synon ta zgjerojë kapacitetin e pikës së kompostimit e tashmë, falë bashkëpunimit me bashkinë e Lubeck-ut në Gjermani, pritet të pajiset me një flotë të re makinerish.

 

 

Top Channel