
Qendra e Shërbimeve Arsimore me propozim të kryeministrit Edi Rama pritet të transformohet në një Agjenci me autonomi organizative dhe financiare.
Në projektligjin e hedhur për konsultim publik deri më 8 gusht, kërkohet që QSHA-ja e cila ka përgjegjësi maturën, provimet për profesionet e rregulluara, diplomat e arsimit të lartë e parauniversitar, nga një institucion në varësi të ministrisë së arsimit të marr formën e një Agjencie me qëllimin e përmirësimit të shërbimeve.
Në përbërje veç drejtorit të përgjithshëm synohet të ketë këshillin drejtues me 5 anëtarë, ku 2 prej tyre do të jenë mbikqyrës nga ministria e arsimit, 2 do të jenë përfaqësues nga organizata jofitimprurëse dhe një anëtar duhet të jetë ekspert me përvojë ndërkombëtare.
Ky model shpjegohet në dokumentin e siguruar nga Top Channel se vjen i bazuar nga praktikat më të mira në vendet e zhvilluara si dhe është rekomandim i ekspertëve britanikë të Cambrige, të cilët pasi kryen studimin në terren propozuan shndërrimin e QSHA në Agjenci të pavarur që të sigurojë cilësi më të lartë të vlerësimeve kombëtare dhe procese më efikase.
“Autonomia do t’i mundësojë QSHA-së të funksionojë pa ndikim nga institucioni epror, të modernizojë Maturën Shtetërore dhe vlerësimet e tjera, të lehtësojë njohjen e diplomave të huaja dhe procesin e matrikullimit të studentëve, procese të cilat aktualisht pengohen nga burokracia”, sipas studimit të Cambrige Assessment International Education në Shqipëri.
Në raportin e Cambrige theksohen edhe disa problematika në hartimin e pyetjeve të përdorura në testet shtetërore dhe për pranimet në universitet. Gjetjet e ekspertëve tregojnë se ka nevojë të rëndësishme për vlerësimin e saktësisë, vështirësisë apo edhe diferencimit nga një nivel në tjetrin për pyetjet e përdorura në provimet e maturës, provimet e shtetit dhe për testin e digjitalizuar për Universitetin e Mjekësisë.
“Këto aftësi duhet të sigurohen përpara se të fillojë procesi i vlerësimit elektronik dhe përpara se të bëhet ndonjë dixhitalizim i mëtejshëm i vlerësimeve. Por QSHA duhet të përgatitet për gatishmërinë dixhitale të të gjitha shkollave dhe qendrave të provimeve”, tha studimi i Cambrige Assessment International Education në Shqipëri.
Më tej nënvizohet se përmirësimi i cilësisë së pyetjeve u jep mundësi nxënësve të mendojnë në mënyrë kritike.
“Reduktimi i numrit të pyetjeve të fondit është efikas, pasi çon në përmirësimin e cilësisë së pyetjeve, duke bërë që testimet të jenë efektive dhe të sigurta. QSHA duhet të sigurohet që një lëndë të mos jetë më e thjeshtë se të tjerat. Aktualisht ka lëndë të cilat jepen provim mature që zhvillohen në një vit shkolle dhe të tjera që zhvillohen në tre vite”, tha studimi i Cambrige Assessment International Education në Shqipëri.
Cambrige i rekomandon qeverisë shqiptare që korigjimi duhet të kryhet për të gjitha pyetjet me kompjuter për të garantuar transparencë dhe konfidencialitetin në vlerësim.
Top Channel