Snoop Dogg hyn në botën e futbollit, i bashkohet Luka Modriç në klubin e ri të kroatit!

18/07/2025 19:29

Këngëtari i njohur Snoop Dogg, tashmë është edhe zyrtarisht pjesë e botës së futbollit, e jo thjesht një admirues i kësaj loje, siç e ka shprehur shpesh në vitet e fundit. Pasi prezantoi pak ditë më parë fanellën e re të Suonsit për sezonin e ri, klubi uellsian konfirmoi edhe risinë e fundit me reperin e njohur amerikan.

Tashmë Snoop Dogg është bashkë-pronar i klubit, duke blerë një kuotë të aksioneve të uellsianëve, të cilët gjenden në Championship, kategorinë e dytë angleze. Klubi ka ndryshuar pronarë kohët e fundit, me dy amerikanë që kanë marrë drejtimin e tij, Bret Kravat dhe Xhezon Kohen, por kanë krijuar mundësinë që të kenë aksionerë të tjerë në mbështetje, me Snoop Dogg që do i bashkohet Luka Modriç, i cili po ashtu ka blerë aksione të uellsianëve në muajin prill.

“Dashuria ime për futbollin është e njohur, por për mua jep një ndjesi speciale që të bëj këtë lëvizje ne pronësinë e një klubi me Suonsin. Historia e klubit dhe e kësaj zone, më përshtatej. Ky është një qytet dhe klub krenar i klasës punëtore. Një “jofavorit” që kundërpërgjigjet, ashtu si unë. Jam krenar që do të bëhem pjesë e Suonsit, do të bëj gjithçka mundem që të ndihmoj klubin”, ishte mesazhi i Snoop Dogg pas zyrtarizimit si një prej bashkëpronarëve të klubit./TAR

Top Channel