Serie A me rregulla të reja/ Arbitrat në kampionatin Italian do të shpjegojnë me zë në stadium dhe TV vendimet

18/07/2025 19:40

Nga sezoni 2025/2026, Seria A do të përjetojë një revolucion në mënyrën e gjykimit të ndeshjeve.

Pas testimeve të suksesshme në Kupën e Botës për Klube, janë zyrtarizuar disa rregulla të reja që synojnë transparencë më të madhe për tifozët dhe reduktim të humbjes së kohës në fushë.

Ndryshimi më i madh ka të bëjë me sistemin VAR: arbitrat do të kenë mundësinë të shpjegojnë vendimet e tyre me mikrofon të hapur, të dëgjueshëm nga publiku në stadium dhe nga ata që ndjekin ndeshjen në TV. Kështu, tifozët do të mund të kuptojnë menjëherë arsyet e një penalltie të dhënë apo jo, të një kartoni të kuq apo çdo vendimi tjetër të rëndësishëm pas konsultimit me VAR-in.

Po ashtu, do të ketë tolerancë zero ndaj humbjeve të qëllimshme të kohës, veçanërisht nga portierët. Nëse një portier mban topin për më shumë se tetë sekonda, arbitri do të akordojë goditje nga këndi në zonën më të afërt të vendndodhjes së portierit.

Për t’ua lehtësuar situatën, arbitri do të sinjalizojë 5 sekondat e fundit me dorë të ngritur. Kartoni do të jepet vetëm në rast përsëritjeje të shkeljes.

Top Channel