
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës parlamentare të së shtunës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja Osmani është cituar të ketë thënë se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe e ka potencuar rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit.
Palët janë takuar një ditë pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.
“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.
Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.
Top Channel