Cilësoi UÇK-në “organizatë terroriste”, arrestohet ndihmësi i Petar Petkoviçit

18/07/2025 22:52

Igor Popoviç, përfaqësues i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës, pas një deklarimi që ka bërë në Rahovec kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raportojnë mediat në Kosovë.

Popoviç është ndihmës i Petar Petkoviçit, shefit të kësaj Zyre në Serbi. Përgjatë deklarimit të tij, Popoviç e ka quajtur UÇK-në organizatë “terroriste”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me raportimet për arrestim, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petkoviqit në Kosovë.

“Ky është mentaliteti i vartësve të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”, kanë thënë këto organizata përmes një postimi në Facebook.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Top Channel