“Pista” Isak bie, Liverpool parakalon Man. United dhe arrin marrëveshje me talentin francez të sulmit

17/07/2025 18:06

Liverpool ka arritur një marrëveshje me talentin francez të Eintracht Frankfurt, Hugo Ekitike

Sulmuesi 22-vjeçar ka pranuar një kontratë gjashtëvjeçare me “The Reds”, duke bërë të qartë se dëshiron të transferohet vetëm në Anfield.

Sipas mediave britanike, Ekitike ka refuzuar interesimin e Manchester United dhe klubeve të tjera të mëdha, duke i dhënë përparësi absolutë projektit të Liverpoolit nën drejtimin e trajnerit Arne Slot.

Aktualisht, Liverpool është në negociata me Eintracht Frankfurt për të finalizuar transferimin, ndërsa marrëveshja personale mes lojtarit dhe klubit anglez tashmë është e përfunduar.

Ky lëvizje vjen pasi Liverpool ishte në ndjekje të yllit të Newcastle, Alexander Isak, gjatë javëve të fundit të merkatos. Megjithatë, përpjekjet për të siguruar shërbimet e sulmuesit suedez dështuan, pasi Newcastle refuzoi të negociojë për kartonin e tij – një vendim që bllokoi transferimin dhe e detyroi Liverpoolin të kërkonte alternativa.

Ekitike, i cili më parë ka qenë pjesë e PSG dhe është konsideruar si një nga sulmuesit më premtues të brezit të tij, është gati të ndërmarrë një hap të madh në karrierë, duke u bashkuar me një nga klubet më prestigjioze të Premier League.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Ekitike do të jetë përforcimi i radhës për repartin ofensiv të Liverpool, në një merkato ku klubi po kërkon të rinovojë skuadrën pas largimit të Jurgen Klopp dhe nisjes së një epoke të re me Arne Slot.

Top Channel