Partizani zhgënjen në shtëpi, “Demat” humbasin penallti dhe janë jashtë Europës

17/07/2025 22:34

Partizani është eliminuar nga kualifikueset e Conference League që në turin e parë, duke u mundur në “Arenën Kombëtare” me rezultatin 0-1 nga Kalju vetëm në kohën shtesë, pasi ndeshja e parë në Estoni përfundoi në barazim 1-1.

Gjatë 90 minutave, “Demat” ishin ata që tentuan më së shumti për të kaluar në avantazh. Gjithashtu, në minutën e 80’ kishin dhe një mundësi të artë për të shënuar nga një 11-metërsh, por Skuka gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, me topin që u ndal nga portieri kundërshtar.

Në shtesë, kryeqytetasit provuan disa herë, por pas një kundërsulmi në minutën e 104’, Ivanov ndëshkoi ekipin e kuq, duke shënuar dhe golin e kualifikimit për estonezët.

Kështu partizani e mbyll këtu aventurën europiane, me “Demat” që tashmë duhet të mendojnë për sezonin e ri.

REZULTATI:

PARTIZANI 0-1 KALJU

Ivanov 104′

Top Channel