
“Mbijetesa vjen e para, pastaj vjen futbolli”. Kjo është motoja që Leandro Castan, ish-mbrojtësi i Romës dhe përfaqësues i Brazilit, ka mësuar në mënyrën më të dhimbshme të mundshme.
Në një rrëfim të ndjerë për Corriere della Sera, Castan ka zbuluar momentet dramatike që i ndryshuan jetën përgjithmonë. Ishte data 13 shtator 2014, ndeshja Empoli-Roma, minuta e 15-të – dhe në ato çaste, siç thotë ai vetë, “karriera ime mbaroi”.
“Gjatë nxehjes ndjeva një shqetësim në muskulin fleksor. Në fund të pjesës së parë, Maicon i tha trajnerit Rudi Garcia: ‘Castan nuk është mirë’. U zëvendësova. U largova nga fusha, përgjithmonë. Kur u ktheva në shtëpi, ndihesha keq. Të nesërmen ndodhi më e keqja – më merrte mendja, mendova se do të vdisja”, kujton ai.
Pasi iu nënshtrua një rezonance magnetike, erdhi lajmi shkatërrues: tumor në tru. Por diagnoza iu mbajt e fshehtë për dy javë. Vetëm më pas ai mësoi të vërtetën – një moment që e përshkruan si fundin e një pjese të vetes.
Castan nuk hoqi dorë dhe u përpoq të rikthehej në fushë, por sfida ishte shumë më e madhe se sa e kishte imagjinuar.
“Nuk kisha kontroll mbi trupin tim. Ishte tmerruese. Nuk mund ta pranoja faktin që nuk isha më si më parë. Po më vriste kjo ndjenjë. Rudi Garcia më mbrojti gjithmonë, si një baba i dytë. Me Spallettin, ishte më e vështirë. Sapo isha kthyer nga operacioni dhe ai më kërkoi të rikthehesha si Castani i vjetër. Por kur më dha një mundësi kundër Veronës, ishte një nga ndeshjet e mia më të këqija. Më pas më thirri në zyrë, më tregoi një foto të Frosinones dhe më tha: ‘Ky është niveli yt. Nuk do të luash më me mua.’ Bota ime u shemb”, rrëfen ish-mbrojtësi.
Sot, Leandro Castan është kthyer në Brazil dhe po përgatitet për një kapitull të ri në jetën e tij – atë të trajnerit. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar nga futbolli, nuk mundi t’i rezistonte pasionit të tij.
“Më pëlqen të jem në fushë, të nuhas barin, të lidhem me djemtë. Koha ime nuk ka mbaruar ende. Ka një jetë tjetër në futboll për mua. U përpoqa të qëndroja larg topit, por nuk munda.”
Historia e Castan nuk është thjesht një rrëfim sportiv, por një dëshmi e forcës njerëzore për të përballuar dhimbjen, për të pranuar dështimin dhe për të rindërtuar jetën – edhe kur gjithçka duket se ka marrë fund.
Top Channel