Dështoi të transferohej në Arabinë Saudite, Granit Xhaka drejt rikthimit të bujshëm në Premier League

17/07/2025 16:54

Granit Xhaka mund të rikthehet në Premier League këtë verë, pasi Sunderland, skuadra e sapongjitur në elitën angleze, ka shfaqur interes serioz për ta afruar mesfushorin shqiptar.

32-vjeçari u largua nga Arsenal në verën e vitit 2023 pas një qëndrimi 7-vjeçar, për t’iu bashkuar Bayer Leverkusen në Bundesligë, ku u kthye menjëherë në një nga shtyllat e ekipit të Xabi Alonso-s, duke ndihmuar drejt titullit kampion.

Pavarësisht rolit të tij ende të rëndësishëm në skuadër – sezonin e kaluar ai luajti titullar në 47 nga 49 ndeshje – Leverkusen mund të jetë e gatshme ta lejojë largimin e tij për çmimin e duhur. Klubi saudit Neom është tërhequr nga negociatat, duke i hapur rrugë Sunderlandit për të vepruar.

Sipas “The Athletic”, skuadra e udhëhequr nga trajneri Régis Le Bris e sheh Xhakën si pjesën kyçe të planeve ambicioze të merkatos, ndërsa kërkon të forcojë mesfushën pas largimit të Jobe Bellingham (vëllai i Jude Bellingham) drejt Borussia Dortmundit.

Përvojat e shumta të Xhakës, si në futbollin europian ashtu edhe në Premier League, konsiderohen jetike për të ndihmuar një skuadër të re dhe me blerje të shumta të reja. Sunderland ka shpenzuar tashmë mbi 100 milionë euro për të afruar Simon Adingra, Habib Diarra, Enzo Le Fée, Noah Sadiki dhe Chemsdine Talbi – dhe tani sytë janë drejt ish-kapitenit të Arsenalit.

Megjithatë, sipas Fabrizio Romano, Sunderland ka hedhur sytë edhe drejt André-Frank Zambo Anguissa të Napolit, një tjetër mesfushor me përvojë në Angli.

Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes, ka lënë të kuptohet se Xhaka duhet të vendosë shpejt për të ardhmen e tij.

“Jemi në fazën ku po finalizojmë skuadrën, dhe Granit është pjesë kyçe në këtë proces,” u shpreh Rolfes për BILD. “Nuk do të jetë një çështje që do të zvarritet gjatë gjithë merkatos. Do të ketë disa ndryshime në ekip, por në një moment ajo duhet të jetë 95% e kompletuar – dhe Granit është një pjesë e rëndësishme e kësaj. Prandaj, vendimi do të merret më shpejt sesa më vonë.”

Top Channel