Zyrtare/ Vijon operacioni “fshesa”, Chelsea shet portierin serb që i priti penallti Manajt! Radhën e ka Broja me shokë

16/07/2025 16:41

Chelsea ka bërë një hap tjetër drejt zvogëlimit të numrit të portierëve në skuadër dhe uljes së numrit të lojtarëve, pasi portieri serb Djordje Petrovic ka përfunduar transferimin e tij të përhershëm te Bournemouth.

Petrovic, 25 vjeç, ishte një nga lojtarët që nuk mori pjesë në Kupën e Botës për Klube, pasi i ishte bërë e qartë se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Enzo Maresca për sezonin e ardhshëm.

Ai kaloi sezonin e fundit në huazim te Strasbourg, ku u shpall lojtari më i mirë i klubit dhe u nominua për çmimin e portierit më të mirë në Ligue 1, teksa luajti dhe për Serbinë në sfidën kundër Shqipërisë në “Arenën Kombëtare”, ku i priti një penallti Rey Manajt.

Chelsea nisi verën me tetë portierë të ekipit të parë dhe ka qenë në kërkim të mënyrave për të larguar disa prej tyre.

Petrovic është i radhës që largohet nga Stamford Bridge, duke firmosur me Bournemouth për një shumë prej 25 milionë £ (rreth 29 milionë €). Ai ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare dhe zëvendëson Kepa Arrizabalaga, që ishte në huazim nga Chelsea dhe tashmë është transferuar te Arsenal për 6 milionë euro.

Ky transferim përfaqëson një fitim të konsiderueshëm për Chelsea, që e kishte blerë Petrovic për 16 milionë euro në vitin 2023. Shitja e tij e çon të ardhurat nga largimet e kësaj vere në mbi 50 milionë euro, ndërkohë që klubi ka shpenzuar mbi 240 milionë për afrime të reja.

Blutë do të vazhdojnë të fokusohen te largimet në javët në vijim, me disa lojtarë që janë lënë jashtë seancave stërvitore të ekipit të parë dhe janë ende në pritje të një transferimi. Emra si Raheem Sterling, Ben Chilwell dhe Axel Disasi nuk janë më në planet e klubit dhe pritet të largohen përpara përfundimit të merkatos.

Ka optimizëm se edhe lojtarë si Joao Felix dhe sulmuesi shqiptar Armando Broja do të shiten së shpejti.

Aktualisht, Chelsea ka katër portierë të ekipit të parë: Robert Sanchez dhe Filip Jorgensen do të garojnë për vendin e titullarit, ndërsa talenti amerikan Gabriel Slonina do të jetë zgjedhja e tretë. Marcus Bettinelli është larguar drejt Manchester City këtë verë.

Ndërkohë, portieri belg Mike Penders pritet të huazohet te Strasbourg për të zëvendësuar Petrovic. Ai u transferua te Chelsea për 20 milionë euro vitin e kaluar, për t’u rikthyer menjëherë në huazim te Genk për një sezon.

Top Channel