
Kryeministri britanik dhe lideri i Partisë Laburiste, Sir Keir Starmer, ka pezulluar katër deputetë të partisë dhe ka shkarkuar tre të tjerë nga pozicionet e tyre qeveritare, në një përpjekje të ashpër për të rikthyer kontrollin mbi partinë pas një vale rebelimesh të brendshme.
Deputetja Rachel Maskell, një prej figurave më të njohura të krahut të majtë dhe lidere e revoltës së fundit kundër reformave të përfitimeve sociale, është ndër të pezulluarit.
Ajo humbi “whip-in” e Laburistëve (e drejta për të vepruar si përfaqësuese zyrtare e partisë në Parlament), së bashku me kolegët Brian Leishman, Chris Hinchliff dhe Neil Duncan Jordan. Të katërt do të ulen tashmë si të pavarur në Parlament, ndërsa çështja e tyre do të rishqyrtohet në të ardhmen.
Ndërkohë, Rosea Allin Khan, Bell Ribeiro-Addy dhe Mohammed Yasin janë shkarkuar nga rolet e tyre si përfaqësues tregtarë të qeverisë, por do të vijojnë të qëndrojnë si deputetë të Laburistëve.
Të shtatë deputetët kishin votuar kundër përpjekjes së qeverisë për të kufizuar shpenzimet në rritje për përfitimet sociale – një reformë që u kritikua si e nxituar dhe e pakoordinuar, shkruan The Sun.
Vendimi për ndëshkime erdhi pak ditë përpara pushimeve verore të Parlamentit, në një sinjal të qartë se Starmer synon të vendosë autoritetin e tij mbi një parti gjithnjë e më të ndarë.
Pas pezullimit, Rachel Maskell deklaroi: “Votova kështu sepse besoj në mbrojtjen e njerëzve që kanë më shumë nevojë. Kjo është arsyeja pse u krijua Partia Laburiste, dhe unë nuk do të heq kurrë dorë nga kjo luftë.”
Përplasjet vijnë vetëm disa javë pasi Starmer u detyrua të bënte një tërheqje të turpshme nga planet për reformimin e sistemit të përfitimeve, pas një rebelimi të ashpër nga radhët e vetë deputetëve të tij. Edhe pas kësaj tërheqjeje, 49 deputetë laburistë votuan kundër linjës zyrtare të partisë.
Ky zhvillim thekson tensionet në rritje mes udhëheqjes së Partisë Laburiste dhe fraksionit të majtë të saj, ndërsa vendi përgatitet për sfida të reja politike në muajt e ardhshëm.
Top Channel