
Zhaklin Lekatari, e ftuar në “Top Story” këtë mbrëmje në një diskutim për sindromën e Stokholmit, shpjegoi pse njerëzit dashurohen me ata që i keqtrajtojnë.
Sipas saj, gjithçka nis te edukimi…
“Unë mendoj se përpos sindromës së Stokholmit, duhet të përmendim edhe ibristofilia që është një lloj dashurie për keqbërësit, për të gjithë ata që mundohen të shkelin në rendin apo ligjin. Ka shumë arsye, që i shoh kryesisht te kultura, te mënyra si jemi edukuar, te filmat apo serialet që shohim, librat që lexojmë, te romantizimi i rolit të të fortit dhe te mënyra se si edukojmë vajzat për të duruar, për të sakrifikuar, për të paraqitur toksicitetin për dashuri, duke mos pyetur asnjëherë se cili është ai sistem që i bën njerëzit të besojnë që këto sjellje, këto rrethana janë dashuri”.
Sipas Lekatarit, raste të tilla i has shpesh në shoqërinë tonë.
“E shoh në mënyrë të vazhdueshme, të përditshme, e shoh te ata njerëz që kam afër që janë të shkolluar dhe që e kanë të brendësuar këtë mënyrë të menduari dhe ndonjëherë nuk e mendojnë as vetë. Ndonëse ti mendon se disa njerëz të ngritur intelektualisht do të mund të bënin një bisedë të vërtetë para vetes së tyre, prapë e kuptoj që është shumë e vështirë të dalësh nga ky sistem, në të cilin jetoj edhe vetë.
Është ajo sindroma e infermieres, që ti mëson të kujdesesh për të tjerët, sepse kujdesi që ke ti ndaj një personi të caktuar, të bën ty të mendosh që nesër ai person do të jetë i varur nga kujdesja që ti tregon për të”.
Top Channel