SHBA-ja dhe europianët kërkojnë marrëveshje bërthamore me Iranin, sanksione për Teheranin nëse nuk arrihet deri në fund të gushtit

16/07/2025 12:03

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur fundin e gushtit si afatin përfundimtar për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, sipas Axios.

Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri në atë afat, tre fuqitë evropiane planifikojnë të aktivizojnë mekanizmin “Snapback”, i cili automatikisht vendos të gjitha sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u hoqën sipas marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin, shkruan Axios duke cituar 3 burime.

Të njëjtat burime thonë se biseda e Rubios me ministrat e jashtëm evropianë kishte për qëllim koordinimin mbi mundësinë e rivendosjes së sanksioneve, por edhe përcaktimin e hapave të ardhshëm në diplomacinë bërthamore.

Zyrtarët evropianë planifikojnë të flasin drejtpërdrejt me Iranin, duke e bërë të qartë se ka ende hapësirë për të shmangur sanksionet nëse Teherani ndërmerr hapa specifikë, siç është rifillimi i monitorimit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila u pezullua pas bastisjeve SHBA-Izrael, dhe heqja e rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar 60%.

Procesi i aktivizimit të “Snapback” zgjat 30 ditë, teksa vendet evropiane që kërkojnë ta përfundojnë atë deri në tetor, përpara se Rusia të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit.

Qëndrim i Teheranit

Nga ana e saj, udhëheqja iraniane hedh poshtë ligjshmërinë e rivendosjes së sanksioneve dhe kërcënon të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi e ka bërë të qartë se nuk sheh ndonjë perspektivë të menjëhershme për rifillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Ministria e Jashtme iraniane thotë se nuk do të përkulet para presionit.

Ndërkohë, Pentagoni vlerëson se sulmet ajrore mbi objektet bërthamore iraniane kanë vonuar aftësinë e Teheranit për të ndërtuar armë bërthamore për “gati dy vjet”.

Top Channel