
Një tjetër rast i rëndë trondit futbollin europian.
Klubi malazez Arsenal Tivat është përjashtuar nga të gjitha kompeticionet europiane për një periudhë 10-vjeçare, pas një hetimi të UEFA-s mbi trukimin e ndeshjeve në raundin kualifikues të Conference League në korrik të vitit 2023.
Ndeshjet në fjalë ishin përballë skuadrës armene Alashkert, ku Arsenal Tivat barazoi 1-1 në ndeshjen e parë jashtë fushe, por më pas humbi me rezultatin e thellë 6-1 në shtëpi, duke ngritur dyshime të forta për manipulim të rezultatit.
UEFA njoftoi se përveç përjashtimit deri në sezonin 2034-2035, klubi do të duhet të paguajë edhe një gjobë prej 500,000 eurosh.
Dënimet individuale nuk munguan: drejtori sportiv Ranko Krgovic dhe futbollisti Nikola Celebic janë përjashtuar përjetësisht nga çdo aktivitet futbollistik. Disa lojtarë të tjerë janë ndëshkuar me pezullime 10-vjeçare.
UEFA ka kërkuar nga FIFA që këto ndëshkime të zbatohen edhe në nivel ndërkombëtar, duke e zgjeruar kështu përjashtimin përtej kufijve të Evropës.
Ky vendim i UEFA-s sjell në vëmendje edhe rastin e Skënderbeut, që në vitin 2018 u dënua po me 10 vite përjashtim nga kupat e Europës për trukim të sistematik të ndeshjeve. Ishte një nga dënimet më të rënda në historinë e futbollit shqiptar dhe europian, ku klubi korçar u gjobit gjithashtu me 1 milion euro dhe u akuzua për trukime në më shumë se 50 ndeshje.
Tashmë, me përjashtimin e Arsenal Tivat, duket se UEFA vazhdon politikën e saj të tolerancës zero ndaj trukimeve, duke dhënë mesazhe të qarta për të gjitha klubet dhe individët e përfshirë në këtë fenomen të rrezikshëm për integritetin e sportit.
Top Channel