Fitore për Milanin dhe Interin, Gjykata i jep klubeve të Milanos “dritën jeshile” për ndërtimin e stadiumit të ri

16/07/2025 16:15

Milani dhe Interi kanë marrë një fitore të rëndësishme në procesin për ndërtimin e stadiumit të ri, pasi Gjykata Administrative Rajonale e Lombardisë (TAR) ka rrëzuar ankesën që kundërshtonte vendimin për vendosjen e mbrojtjes kulturore të unazës së dytë të stadiumit San Siro.

Vendimi i gjykatës vjen pas një padie të ngritur nga 82 qytetarë dhe tre komitete kundër Bashkisë së Milanos, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, me qëllimin për të anuluar një sërë aktesh publike që lidhen me projektin për stadiumin e ri.

Midis tyre ishin edhe vendimet për shpalljen e ankandit publik për blerjen e stadiumit, marrëveshjet me universitetet Politecnico dhe Bocconi, si dhe mendimi i Soprintendencës për vendosjen e mbrojtjes kulturore për unazën e dytë të stadiumit, e cila hyn në fuqi më 10 nëntor 2025.

Sipas TAR-it, nuk janë paraqitur elementë të mjaftueshëm që mund të japin një pritshmëri reale për sukses të ankesës. Gjykata thekson gjithashtu se paditësit nuk janë identifikuar qartë dhe se ankesa është paraqitur me pasaktësi dhe pa të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar legjitimitetin e saj.

Në lidhje me datën e vendosur për mbrojtjen e unazës së dytë, gjyqtarët nënvizojnë se ajo bazohet në një vendim teknik të administratës përkatëse, e cila ka përdorur si referencë dokumentin zyrtar të përfundimit të punimeve të datës 10 nëntor 1955. Sipas ligjit, vendime të tilla teknike nuk mund të sfidohen në thelb nga gjykata administrative, përveçse në raste të shkeljes së qartë të logjikës apo kritereve profesionale, çka nuk është konstatuar në këtë rast.

Gjithashtu, gjykata vlerëson se nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për dëme të pariparueshme (periculum in mora), siç pretendonin paditësit, pasi sipas dokumentacionit zyrtar, prishja e stadiumit aktual nuk do të mund të ndodhë para vitit 2030.

Ky vendim i hap rrugën Milanit dhe Interit për të ecur përpara me projektin e stadiumit të ri, megjithëse proceset burokratike dhe ligjore pritet të vazhdojnë edhe në muajt në vijim.

Top Channel