
Një situatë e pazakontë ka ndodhur brenda pak ditësh në futbollin italian.
Pas trajnerit të Atalanta-s, Ivan Juric, që përfundoi në spital për trajtim mjekësor, edhe trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, është dërguar në klinikë për kontrolle mjekësore.
Tekniku toskan, i cili është rikthyer së fundmi në pankinën e Biancocelestëve, u paraqit në klinikën “Villa Mafalda” në Romë pasi dyshohej për një problem shëndetësor të mundshëm. Ai nuk mori pjesë në seancën stërvitore të paradites në Formello – baza e përgatitjeve të Lazios – dhe u shoqërua në klinikë nga drejtori sportiv i klubit, Angelo Fabiani.
Ky zhvillim ngjalli shqetësim, pasi u mendua se Sarri mund të kishte shfaqur komplikacione shëndetësore, vetëm pak kohë pas rikthimit në pankinë. Megjithatë, klubi i Lazios ka reaguar shpejt për të qetësuar situatën.
Në një deklaratë zyrtare, Lazio sqaroi: “Trajneri Sarri po kthehet në Formello dhe, siç ishte planifikuar, do të drejtojë seancën stërvitore në orën 18:00. Ai iu nënshtrua një kontrolli të plotë të gjendjes fizike këtë mëngjes, më gjithëpërfshirës sesa testet rutinë që i nënshtrohen lojtarët në Qendrën e Stërvitjes.”
Sarri, së bashku me Fabiani-n, është larguar nga klinika në orët e para të pasdites dhe ka vazhduar normalisht punën me skuadrën.
Ky episod ndodh vetëm pak ditë pasi edhe trajneri i Atalantës, Ivan Juric – i cili pritet të zyrtarizohet si trajneri i ri i klubit pas largimit të Gasperinit – u shtrua në spital për shkak të problemeve shëndetësore, duke e bërë këtë një ngjarje të pazakontë ku dy trajnerë të Serie A përfundojnë në klinika brenda pak ditësh.
Fatmirësisht, në të dy rastet, nuk ka pasur komplikacione serioze, dhe pritet që trajnerët të vijojnë normalisht detyrat e tyre me klubet përkatëse në përgatitjet para-sezonale.
Top Channel