
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se disa raketa kundërajrore për sistemin mbrojtës, Patriot, janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi njoftoi se vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armë në Ukrainë.
Trumpi e ndryshoi qëndrimin e tij rishtazi, pasi më herët ishte kundër dërgimit të armëve amerikane në vendin e përfshirë nga lufta.
“Ato po vijnë nga Gjermania“, u tha Trump gazetarëve mbrëmjen e së martës, pa dhënë më shumë hollësi.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se janë duke u bërë përgatitje për t’ia dorëzuar Ukrainës dy sisteme Patriot.
Gjermania do të paguajë për dërgimin e tyre, por hollësitë përfundimtare teknike, logjistike dhe financiare ende nuk janë qartësuar, tha Pistorius të hënën, pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon.
Hollësitë “duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt”, shtoi Pistorius, duke theksuar se Ukrainës i nevojiten urgjentisht sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.
Dronë rusë Shahed sulmuan qytetin e Harkivit në mbrëmjen e së martës, duke plagosur dy njerëz, raportuan autoritetet vendëse. Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se të paktën 17 shpërthime u dëgjuan në qytet brenda 20 minutash.
Trump tha se nuk ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nga dita e hënë, kur njoftoi se i kishte thënë afat prej 50 ditësh Rusisë ta pranojë një marrëveshje armëpushimi për ta shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë.
Trump nuk tha nëse janë planifikuar bisedime për të arritur një marrëveshje, por mbrojti afatin kohor.
“Në fund të 50 ditëve, nëse nuk kemi një marrëveshje, do të jetë shumë keq”, tha Trump. Por, ai gjithashtu shtoi se mund të mos nevojiten 50 ditë për të arritur një marrëveshje.
Trump u pyet gjithashtu për një raport të gazetës The Financial Times, sipas të cilit ai e kishte nxitur privatisht Ukrainën t’i intensifikonte sulmet në thellësi të Rusisë.
Duke cituar burime të informuara mbi diskutimet, gazeta tha se Trump e kishte pyetur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëse ushtria ukrainase mund ta godiste Moskën nëse SHBA-ja do t’i jepte armë me rreze të gjatë veprimi.
“Jo, ai nuk duhet ta sulmojë Moskën”, tha Trump për gazetarët të martën, kur u pyet nëse Zelensky duhet të urdhërojë sulm mbi kryeqytetin rus.
Zyrtarët evropianë po punojnë për t’u siguruar që Ukraina do t’i marrë armët që i nevojiten, ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të arrijë një marrëveshje për një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, pasi Sllovakia sërish bllokoi paketën e fundit.
Top Channel