
Carlos Sainz, aktualisht pilot i ekipit Williams, ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional mbi sezonin 2024 në Formula 1, një periudhë që e përjetoi me shumë tension dhe përmbajtje, pasi garoi gjithë vitin për Ferrarin, duke ditur se në fund të sezonit do ta humbiste vendin e tij në favor të Lewis Hamilton.
Në një intervistë të fundit në podcast, Sainz tregoi për përplasjet e brendshme që përjetoi gjatë vitit, duke pranuar se nuk ishte e lehtë të ruante profesionalizmin kur në kokë kishte ndjenja zhgënjimi dhe padrejtësie.
“Të gjithë kemi një demon dhe një engjëll brenda vetes. Demoni im më thoshte të flisja, të ndryshoja, të bëhesha politik… por engjëlli im fitoi. Qëndrova profesionist,” – tha Sainz.
Pavarësisht situatës së tij personale, Sainz luajti një rol vendimtar për suksesin e Ferrarit në Kampionatin Botëror të vitit 2024. Ai ndihmoi skuadrën nga Maranello të renditej e dyta në kampionatin e konstruktorëve, pas McLarenit, duke arritur dy fitore të mëdha (në Australi dhe Meksikë) dhe nëntë podiume gjatë gjithë sezonit.
“Një pilot me ego të madhe do të kishte mundur ta shkatërronte atmosferën në ekip. Por unë zgjodha të jap gjithçka deri në fund. E bëra për ekipin, por edhe për veten. Nuk do të kishte qenë e drejtë t’i përfshija njerëzit që nuk kishin lidhje me vendimin,” shtoi spanjolli.
Pas largimit nga Ferrari, Sainz nisi një kapitull të ri me Williams, skuadër në rindërtim e sipër, ku pritet të sjellë eksperiencën dhe qëndrueshmërinë që e karakterizuan edhe në periudhat më të vështira.
Historia e Carlos Sainz në 2024 mbetet një shembull i rrallë profesionalizmi dhe vetëkontrolli në sportin elitar, një dëshmi e qartë se karakteri i një piloti matet jo vetëm me shpejtësinë në pistë, por edhe me qëndrimin jashtë saj.
Top Channel