Trump vendos tarifë prej 17% për domatet e importuara nga Meksika

15/07/2025 10:39

Qeveria amerikane njoftoi të hënën vendosjen e një tarife prej 17% për domatet e importuara nga Meksika, pas anulimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë midis dy vendeve për këtë produkt.

Uashingtoni njoftoi në mesin e prillit se kishte ndërmend t’i jepte fund kësaj marrëveshjeje, të nënshkruar në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, duke dhënë një afat 90-ditor për këtë, i cili skadoi dje.

Qeveria amerikane kërcënoi të vendoste një tarifë prej 21% për domatet meksikane, por në fund vendosi ta rriste koston shtesë për këtë frut në 17%.

Pala meksikane menjëherë e denoncoi tarifën “e padrejtë” që do të ishte “në kurriz të prodhuesve meksikanë, si dhe të industrisë amerikane”, siç theksuan Ministritë e Bujqësisë dhe Ekonomisë në një deklaratë të përbashkët.

“Duke pasur parasysh se dy nga tre domate të konsumuara në SHBA korren në Meksikë, kjo masë do të godasë vetëm xhepat e konsumatorëve amerikanë, pasi do të ishte e pamundur të zëvendësoheshin domatet meksikane”, vunë në dukje ata.

Departamenti Amerikan i Tregtisë akuzon prodhuesit meksikanë për praktika dumpingu – kundër konkurrencës – dhe ka siguruar se detyrimet e vendosura janë llogaritur për t’i kompensuar ato.

“Meksika mbetet një nga aleatët tanë kryesorë, por për një kohë të gjatë fermerët tanë janë shtypur nga praktikat e padrejta tregtare, ulja artificiale e çmimeve (red. prodhimit) të produkteve si domatet “, tha Sekretari Amerikan i Tregtisë Howard Latnick në një deklaratë.

Përpara njoftimit të detyrimeve të reja, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se po “punonte për të zvogëluar pasojat” e çdo tarife të re shtesë të kësaj natyre. “Do të jetë shumë e vështirë të ndalohen eksportet e domateve në SHBA, pasi prodhimi i tyre kombëtar nuk plotëson kërkesën ” në atë vend, shtoi ajo.

Në total, 90% e sasisë së domateve të importuara në Shtetet e Bashkuara vjen nga Meksika, kujtoi Ministri meksikan i Bujqësisë Julio Berdegue në prill, duke paralajmëruar se tarifat do të rrisnin rrezikun e një rritjeje të madhe të çmimeve në anën tjetër të Rio Bravo/Rio Grande.

Partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara është tani në vijën e parë të luftërave tregtare që Donald Trump ka nisur që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Në fund të fundit, Uashingtoni përjashtoi Meksikën dhe Kanadanë nga tarifat që i quan “hakmarrëse” dhe u vendosën mbi ekonomitë e tjera. Të tre vendet janë të lidhura nga një marrëveshje e tregtisë së lirë.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu uli pjesërisht tarifat për shkak të tregtisë së fentanilit, një opioid i fuqishëm që ka shkaktuar një krizë të madhe shëndetësore në SHBA, duke përjashtuar produktet e importuara në vend sipas marrëveshjes së tregtisë së lirë Kanada-SHBA-Meksikë, e cila është shumica.

Megjithatë, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Meksika dhe Kanadaja po goditen nga tarifat mbi çelikun, aluminin dhe automjetet, të cilat i ka vendosur edhe zoti Trump.

Top Channel