
Ai nuk kishte qarë kështu, që nga funerali i mikeshës së tij, shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht, dy vjet më parë, në Kishën e Artistëve në Piazza del Popolo.
“Është e vërtetë, kështu është”, pranon gazetari investigativ Roberto Saviano, ndërsa hipën në njërën nga dy makinat shoqëruese në dalje të gjykatës. Por, dje, në sallën e Gjykatës së Apelit në Piazzale Clodio, gazetari që denoncoi Gomorrës qau edhe më fort, më me dëshpërim. Ai përqafoi avokatin e tij, Antonio Nobile, duke përsëritur fjalët: “Ma vodhën jetën, më shtypën.”
Publiku i përkushtuar që kishte ardhur posaçërisht nga qytete si Torino, Pesaro dhe Bolonja për ta mbështetur, duartrokiti vendimin, konfirmimin e dënimit për shefin famëkeq të klanit Casalesi, Francesco Bidognetti, i njohur si “Cicciotto ‘e mezzanotte”. Pseudonimi, sipas disave, rrjedh nga aftësia e tij për të përhapur frikë edhe në mes të ditës.
Emocioni ishte i jashtëzakonshëm. Të shihje përballë, përmes lidhjes video nga burgu i sigurisë së lartë Opera në Milano, njeriun që i kishte shkatërruar jetën që nga 14 marsi i vitit 2008, ishte një përballje e rëndë dhe e dhimbshme. Bidognetti e urren Savianon – kjo është e njohur – dhe gjyqi i djeshëm e vërtetoi sërish këtë. “Proklamata” e lexuar nga avokati i tij, Michele Santonastaso, në vitin 2008 gjatë gjyqit “Spartacus”, ishte në fakt një dënim me vdekje për Savianon dhe për gazetaren e guximshme të Il Mattino-s, Rosaria Capacchione.
Por edhe Saviano, me atë që ka kaluar – pothuajse 20 vjet nën mbrojtjen e policisë – e urren atë:
“Bidognetti është ai që përdori një vajzë 25-vjeçare, Filomena Morlando, si mburojë njerëzore një mbrëmje, për t’i shpëtuar vrasësve me pagesë të nënoficerëve. Ai u shfaq sot me mëngë të shkurtra, përpara kamerave. Por ai nuk ka munguar kurrë në asnjë seancë, sepse, nën regjimin 41-bis prej mbi 30 vjetësh, këto seanca janë e vetmja kohë e lirë për të.”
Duket qartë se vitet nën presion kanë lënë gjurmë: “Ata ma shkatërruan jetën dhe nuk kam qenë në gjendje ta përballoj. Tani trupi im duhet të mbrohet. Për vite të tëra thonin se nuk kisha nevojë për mbrojtje policore, se ishte privilegj. Por unë ëndërroj çdo ditë të kem pak liri… një udhëtim me motor, një shëtitje.”
Një vajzë romake, Claudia, që ndodhej pranë, dëgjoi dhe i tha: “Do të ta blej unë motorin, Roberto.”
Lotët e tij janë fryt i vërtetë i frikës që e kishte pushtuar më 18 mars 2008, vetëm katër ditë pas “shpalljes” së rrezikut nga Bidognetti. Atëherë, në moshën 29-vjeçare, Saviano u zhvendos me urgjencë nga Campania në një ishull, pa bagazhin e tij, për shkak të një rreziku të afërt. Kishte hyrë në lojë Giuseppe Setola, i njohur si “o Cecato”, vrasësi i masakrës ganeze, që e kërkonte me anije peshkimi…
“Dënimi i djeshëm ishte më i rëndësishmi i jetës sime,” deklaroi Saviano.
Sepse kurrë më parë në historinë e drejtësisë, asnjë gjykatë nuk kishte parë shefa mafiozë që, me avokatët e tyre, të mos akuzonin politikën, por gazetarinë si përgjegjëse për dënimet e tyre.
Dhe për politikën kishte një thirrje të qartë:”A patë ndonjë përfaqësues politik sot në sallën e gjyqit?” – pyeti ai me hidhërim. “Unë nuk pashë askënd.”
Top Channel