Arnaud Harixcalde Logan, 35 vjeç, me banim në Sydney, u paraqit të hënën në Gjykatën e Sherifit të Perthit në Skoci, ku iu komunikua akuza e cila përngjan me vandalizëm.

Ai nuk u detyrua të deklaronte fajësinë dhe u urdhërua të mbahet në paraburgim deri në seancën e radhës javën e ardhshme.

Incidenti ndodhi të shtunën në Muzeun e Perthit, ku policia ndërhyri pas raportimeve për një burrë të veshur me kilt që po përpiqej të thyente kutinë mbrojtëse që përmbante Gurin mbretëror.

I njohur si Guri i Scone (Skoon), blloku prej 150 kilogramësh gur ranor ka një histori të lashtë dhe të ngarkuar simbolikisht për Skocinë. Ai përdorej në kurorëzimet e monarkëve mesjetarë skocezë në Scone Abbey, pranë qytetit të Perthit.

Në shekullin e 13-të, guri u rrëmbye nga Mbreti Edward I i Anglisë dhe u çua në Westminster Abbey në Londër, ku u vendos nën karrigen e kurorëzimit. Prej atëherë, ai është përdorur në ceremonitë e kurorëzimit të monarkëve anglezë dhe më vonë britanikë.

Pas shumë dekadash mosmarrëveshjesh dhe ndjeshmërie kombëtare, guri iu rikthye Skocisë në vitin 1996 dhe u vendos në Kështjellën e Edinburgut, me marrëveshjen që të dërgohej në Londër për çdo kurorëzim të ardhshëm. Më i fundit ishte ai i Mbretit Charles III në vitin 2023, kur guri u transferua në fshehtësi dhe nën masa të rrepta sigurie.

Aktualisht, guri ndodhet në Muzeun e Perthit, i cili u rinovua së fundmi dhe përmban masa sigurie 24-orëshe për mbrojtjen e këtij objekti të çmuar. Sipas deklaratave zyrtare nga Culture Perth and Kinross, institucioni që mbikëqyr muzeun, guri nuk u dëmtua në incident.

Top Channel