
E ardhmja e Armando Brojës duket gjithnjë e më larg Chelsea-t, ndërsa dy skuadra nga Bundesliga kanë shfaqur interes serioz për shërbimet e tij.
Sipas The Athletic, RB Leipzig dhe Stuttgart po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit shqiptar, me të dy klubet që po kërkojnë zëvendësues për largime të mundshme këtë verë.
Te Leipzig, e cila mund të humbasë Benjamin Sesko dhe Xavi Simons gjatë merkatos, Broja shihet si një alternativë premtuese për të plotësuar boshllëqet në repartin ofensiv.
Nga ana tjetër, Stuttgart – që sezonin e ardhshëm do të luajë në Europa League pasi fitoi Kupën e Gjermanisë – ka refuzuar një ofertë të parë nga Bayern Munich për Nick Woltemade dhe është në kërkim të përforcimeve të menjëhershme. Broja është një nga emrat në listën e tyre.
Pozitat e Brojës te Chelsea janë dobësuar më tej pas afrimeve të Joao Pedro dhe Liam Delap për një shumë të kombinuar prej 97.2 milionë euro. Trajneri i ri Enzo Maresca nuk e sheh 23-vjeçarin si pjesë të planeve të tij për sezonin e ri.
Gjatë sezonit të kaluar, Broja ishte i huazuar te Everton, por dëmtimet e kufizuan ndjeshëm. Ai humbi 11 ndeshje dhe zhvilloi vetëm 332 minuta lojë në 10 paraqitje në Premier League, pa arritur të shënojë. Everton vendosi të mos e ushtrojë opsionin e blerjes.
Stuttgart kishte treguar interes edhe verën e kaluar, kur kishte nisur kontaktet me Chelsean për transferimin e Brojës, por më pas kishte zgjedhur të ndjekë pista të tjera. Ai do të kishte shkuar fillimisht si zëvendësues i Deniz Undav dhe Ermedin Demirovic, të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e klubit.
Top Channel