
Manastiri “Fjetja e Shën Mërisë” në Spile, një nga monumentet më të njohura të kultit në jug të vendit, po i nënshtrohet një procesi restaurimi të plotë.
Objekti, i ndërtuar në vitin 1634, monument kulture i kategorisë së parë, mbart vlera të rëndësishme arkitekturore, artistike dhe shpirtërore për zonën e Lunxhërisë.
Procesi ka përfunduar në çatinë e hajatit dhe është duke vijuar në narteks. Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, ndërhyrja është thelbësore për ruajtjen e objektit nga degradimi i mëtejshëm, për të garantuar qëndrueshmërinë e strukturës dhe sigurinë e vizitorëve.
“Ky është një nga objektet që për vite me radhë ka pasur probleme serioze. Gjendja strukturore ka qenë e rënduar dhe nevojitej një ndërhyrje që jo vetëm e shpëton nga rreziku, por edhe e rikthen në identitet,”-Ardis Duka drejtor i DRMK.
Manastiri përmban afreskë me vlera të rralla ikonografike, pikturuar nga mjeshtri Mihali në kohën e peshkopit Kalist. Naosi i tij është i ndërtuar në formë kryqi, ndërsa ngjyrat e gjalla dhe stili ekspresiv i afreskëve ende mahnisin vizitorët spontanë.
“Interesi është i lartë, sidomos nga vizitorët që ndjekin itinerare të trashëgimisë kulturore. Aksesueshmëria është një sfidë, por prezenca e vizitorëve nuk mungon”.
Ndërtuar mbi një masiv shkëmbor gëlqeror, manastiri ngrihet pranë një kishe më të hershme, ndërsa në shpellat karstike të zonës, sipas dëshmive historike, kanë jetuar dikur eremitët ,murgj që e zgjidhnin izolimin si formë e përkushtimit fetar.
Punimet në Spile janë pjesë e një programi të gjerë restaurimi dhe mirëmbajtjeje që përfshin edhe objekte të tjera me funksion religjioz në qark, si Kisha e Labovës së Kryqit, Kisha e Peshkëpisë së Sipërme apo manastiret e Stegopulit, Drianos dhe Jergucatit.
“Kemi një sërë monumentesh kulti që janë të kategorisë së parë ,të të gjitha besimeve, të cilat kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme. Teqeja e Melanit, teqeja e Frashërit apo xhamia e Pazarit janë pjesë e vëmendjes sonë për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët”.
Në qarkun e Gjirokastrës ndodhen mbi 100 kisha të të njëjtës periudhë historike, 32 prej të cilave konsiderohen me rëndësi të veçantë për vlerat e tyre tipologjike dhe arkitekturore.
Top Channel