Publikohet formacioni më i mirë i Botërorit të Klubeve/ Dominojnë Chelsea dhe PSG! Spikat skuadra braziliane me dy lojtarë, ia del edhe talenti i Realit

14/07/2025 16:32

Chelsea u shpall kampione e Botërorit të parë të Klubeve me 32 skuadra, duke mposhtur në finale PSG-në me rezultatin 3-0.

Kjo fitore e vendosi Chelsea-n në majën më të lartë të futbollit, e cila do të njihet si Kampione e Botës për katër vitet e ardhshme.

“DAZN” ka publikuar formacionin më të mirë të kompeticionit, ku nuk mungojnë emrat surprizë.

Në portë është zgjedhur gardiani i Al-Hilal, Bono. Mbrojtja përbëhet nga Hakimi, Marquinhos, Thiago Silva dhe Cucurella. Vitinha dhe Enzo përbëjnë mesfushën, me Pedro Neton dhe Palmer më të avancuar nga krahët, ndërsa në dyshen e sulmit janë zgjedhur Arias i Fluminenses dhe Garcia i Realit të Madridit, i cili gjithashtu fitoi Këpucën e Artë të kompeticionit.

Botërori i ardhshëm i Klubeve do të mbahet në vitin 2029, teksa vendi organizator nuk është zgjedhur akoma nga FIFA.

Deri atëherë, Chelsea do të mbajë në fanellë dhe stemën e veçantë të kampionit të Botës për katër vitet e ardhshme.

Top Channel