OpenAI marrëveshje 38 miliardë dollarëshe me Amazon për akses në cloud						
								
			Serbia dhe Kina pritet të zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake për herë të parë në fund të këtij muaji, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Kinës.
Pjesë e ushtrimeve të përbashkët “Paqeruajtësit 2025” do të jenë forcat speciale të Serbisë dhe Kinës dhe stërvitja do të zhvillohet në provincën Hebei, në Kinën veriore, tha koloneli Jiang Bin, zëdhënës i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, në një konferencë për shtyp, sipas Ministrisë.
“Kjo do të jetë stërvitja e parë e përbashkët midis ushtrive kineze dhe serbe. Do të kontribuojë në forcimin e aftësive luftarake të pjesëmarrësve dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive”, tha ai.
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e “Partneritetit për Paqe”, një program bashkëpunimi dypalësh midis NATO-s dhe vendeve individuale jo-anëtare.
Beogradi zyrtar mban marrëdhënie të mira me Kinën dhe këto dy vende e cilësojnë bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë si partneritet strategjik, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Autoritetet në Beograd po mbështeten në përkrahjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Serbia gjithashtu mbështeten te Kina për investime ekonomike dhe kredi./ REL
Top Channel