
Është mbajtur sot aktivitetin “Jurisprudenca në Kushtetuese”, ku kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka thënë se vendimet e institucionit që ajo drejton nuk janë as këshilluese dhe as opsionale, por të detyrueshme për t’u zbatuar.
Sipas saj vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pushtetet. Zaçaj thekson se moszbatimi i këtyre vendimeve cënon integritetin e ligjit, vë në diskutim Kushtetutën si dhe minon besimin e publikut.
“Këto vendime kanë udhëhequr arsyetimin e sotëm ligjor e gjyqësor, por Gjykata, në interpretimin e Kushtetutës si një “instrument i gjallë” kujdeset që teksti i saj të jetë i aftë të përshtatet me sfidat dhe zhvillimet e reja, duke zhvilluar kështu edhe konceptet e saj.
Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.
Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”, u shpreh ajo.
“Kjo vlen gjithashtu për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut. Ndaj Kushtetutshmëria si mënyrë të qëni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së Bashkuar.
Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton.
Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur.
Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënijeje.
Megjithate, edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen.
Në këtë këndvështrim, do të doja të theksoja se mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese. Duhet të mbajmë mend se qëllimi nuk justifikon mjetet. Drejtësia që nuk respekton parimet themelore të Kushtetutës rrezikon të bëhet një mjet pushteti në vend që të jetë një mjet mbrojtjeje dhe ligjshmërie.
Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti; përkundrazi, ato janë universale dhe duhet të respektohen për të gjithë dhe nga të gjithë—pa përjashtim. Një sistem drejtësie që nuk u jep përparësi të drejtave të njeriut rrezikon te humbasë kredibilitet pavarësisht rezultateve. Vetëm duke respektuar dhe garantuar këto të drejta mund të ndërtojmë një sistem drejtësie legjitim, kushtetues dhe me besim ndër qytetarët”, deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel