
Një turne futbolli me robotë. Po, e lexuat mirë, një turne futbolli me robotë u bë viral për arsye qesharake të cilat shkojnë përtej teknologjisë.
Ajo që ishte menduar se do të ishte një demonstrim i inteligjencës artificiale në futboll u kthye në një spektakël rëniesh, pengimesh, lëvizjesh të ngathta, rrëzimesh dhe aksionesh që ngjanin sikur po shikoje një shfaqje komedi. Videoja shkaktoi një “furi” komentesh në rrjetet sociale, duke nxitur reagime nga më të ndryshmet.
AI po përparon me hapa gjigantë, dhe ajo që dikur dukej si fantashkencë po ndodh para syve tanë tani. Ndeshja nuk u drejtua me telekomandë; çdo robot ishte i programuar për të lëvizur në mënyrë autonome. Chen Hao, inxhinier dhe themelues i kompanisë që organizoi eventin, shpjegoi se qëllimi është që robotët të marrin vendime sikur të ishin lojtarë të vërtetë.
Një nga momentet më qesharake të videos është kur një robot rrëzohet dhe një tjetër kthen kokën i habitur, i shoqëruar nga një efekt zanor që e bën gjithçka të duket komike. Topi rrotullohej nëpër fushë, ndërsa robotët përpiqeshin t’i afroheshin me hapa të vegjël dhe të paqëndrueshëm, duke u anuar, humbur ekuilibrin dhe duke rënë përtokë. Nëse ndonjëri nuk arrinte të ngrihej, e merrnin me barelë jashtë fushe.
Skena shkaktoi të qeshura në publik dhe mijëra komente në rrjete sociale. Në llogarinë e Daily Mail në Instagram, ku u shpërnda videoja, një nga komentet ishte: “Do të ishte më qesharake po të luanin njerëz të dehur”.
Ndeshja ishte pjesë e një testi të mbajtur në Kinë si hyrje për “Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë”, të planifikuara për në gusht. Çdo skuadër përbëhej nga tre robotë, të gjithë të zhvilluar nga universitete të ndryshme të vendit. Të pajisur me sensorë të veçantë, ata mund të identifikonin topin, të merrnin vendime taktike, të lëviznin dhe madje të gjuanin apo pasonin.
Kina ka investuar prej vitesh në zhvillimin e robotëve inteligjentë dhe evente si ky synojnë t’i sjellin këto përparime më pranë publikut. Edhe pse kjo ekspozitë e parë solli më shumë të qeshura se gola, një gjë është e qartë: e ardhmja e robotikës në sport nuk është më teori, por sapo ka nisur./ TAR
Top Channel