
Në skajin më verior të Shqipërisë, aty ku gjelbërimi nuk shteron as në ditët më të nxehta të verës, ndodhet një nga zonat më të veçanta të turizmit malor, Vermoshi.
Ky fshat piktoresk i Malësisë së Madhe, përgjatë muajit Korrik ka njohur rritje të numrit të turistëve, shqiptarë e të huaj që duan qetësinë, klimën e freskët edhe në kulmin e verës, dhe mundësitë për të eksploruar natyrën.
“Është shumë bukur këtu. Ka shumë gjelbërim, pak njerëz, ka qetësinë e duhur por ka një potencial shumë të madh. Ka shumë vende për të eksploruar natyrën me hiking dhe duket se është gati për më shumë turistë dhe turizëm. Më pëlqeu mikpritja si tek shtëpia këtu ashtu edhe në përgjatë fshatit. Gjithçka është në qetësi dhe harmoni.”
“Po kalojmë këtu sipas itinerarit që kemi për të vizituar Alpet. Është shumë mirë. Më pëlqyen kuajt në qendër të fshatit, shkuam për të vizituar një dyqan dhe është një vend i vogël por shumë i qetë. Njerëzit janë miqësorë dhe pamja e bukur. Nuk ka asgjë për të ndryshuar sepse gjithçka është ashtu siç duhet.”
Edhe pse rritja e numrit të turistëve është graduale, operatorët turistikë shprehen optimistë. Sipas tyre, Vermoshi tërheq një profil të veçantë vizitorësh, ata që vlerësojnë natyrën e paprekur, qetësinë dhe autenticitetin e jetës malore.
Në një kohë kur turizmi masiv po zbeh përvojën autentike në shumë zona, Vermoshi mbetet një destinacion për ata që kërkojnë të rikthehen tek thelbi i pushimeve: natyrë e qetësia.
Top Channel