Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit ka vijuar edhe gjatë kësaj të diele.

Fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë vazhduar prishjen e objekteve pavarësisht rezistencës së disa banorëve.

Në mbështetje të fadromave të IKMT në terren kanë shkuar dhjetëra forca policie pasi herë pas here situata tensionohet nga banorët të cilët kanë investuar paratë e fituara në emigracion.

Paralelisht, strukturat e bashkisë po punojnë për heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës për të mos pasur impakt tek të huajt që po vizitojnë Thethin në këtë periudhë.

Ende nuk dihet numri i saktë i objekteve që do të shemben, por drejtuesit e IKMT bëjnë me dije se në fokus janë të gjitha ndërtimet pa leje që kanë dëmtuar imazhin e zonës, pasi ky operacion synon mbrojtjen e Parkut Kombëtar nga ndërhyrjet abuzive që rrezikojnë peizazhin natyror të Thethit.

Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, pasi autoritetet kanë identifikuar edhe objekte të tjera pa dokumentacion të rregullt.

Top Channel