Qytetarë me shufra hekuri ‘pushtojnë’ rrugët/ Një i arrestuar, sulmoi një pensionist, trazira në Spanjë

13/07/2025 20:15

Trazirat kundër emigrantëve kanë vazhduar për natën e dytë me radhë në qytetin Torre Pacheco, në juglindje të Spanjës, duke lënë disa persona të plagosur, njoftuan autoritetet të dielën.

Sipas gazetës rajonale La Opinión de Murcia, grupe njerëzish të armatosur me shufra endeshin nëpër rrugët e qytetit duke kërkuar persona me origjinë të huaj, pavarësisht pranisë së shtuar të policisë, sipas The Guardian.

Qeveria rajonale nuk dha një numër të saktë të të plagosurve, por konfirmoi se të paktën një person është arrestuar në lidhje me incidentet.

Trazirat shpërthyen pas një sulmi ndaj një burri 68-vjeçar, i cili u shfaq në mediat spanjolle duke thënë se ishte rrahur në rrugë të mërkurën nga tre të rinj me origjinë nga Afrika Veriore. Sulmi u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale.

Komuna organizoi një protestë të premten që kishte për qëllim të ishte paqësore, por u dominua nga thirrje ksenofobike nga grupe të ekstremit të djathtë. Një grup me emrin “Deportoni tani” publikoi një mesazh në rrjetet sociale duke nxitur dhunë ndaj personave me origjinë afrikano-veriore.
Autoritetet spanjolle bënë thirrje për qetësi të dielën në qytetin prej 36,000 banorësh.

“Kuptoj frustrimin, por asgjë nuk e justifikon dhunën. Torre Pacheco duhet të kthehet në normalitet,” shkroi në rrjetin X kreu konservator i qeverisë rajonale të Murcias, Fernando López Miras.

Edhe kryetari i bashkisë së Torre Pacheco-s, Pedro Ángel Roca Ternel, i bëri thirrje qytetarëve për qetësi në një intervistë për televizionin publik RTVE: “U bëj thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe maturinë.”

Ndërkohë, ministrja e Rinisë së Spanjës, Sira Rego, anëtare e aleancës së majtë radikale Sumar, dënoi dhunën ndaj emigrantëve përmes një mesazhi në rrjetin Bluesky, duke akuzuar “ekstremistët e djathtë” për nxitjen e trazirave.

Top Channel