
Ambasadori i parë i Gjermanisë në vendin tonë, njeriu që hapi derën e shpresës së këtij misioni diplomatik për 3 mijë shqiptarë që kërkuan t’i largoheshin regjimit në 2 korrikun e vitit 1990, rrëfeu në një intervistë në Top Channel, pak para se të ndërronte jetë se rreziku kishte qenë shumë më pranë tyre nga sa mund ta mendonin.
Në intervistën e realizuar nga gazetarja e Top Channel Irida Vasia, ish-ambasadori Werner Daum rrëfen sesi i mbrojti qytetarët shqiptarë brenda ambasadës, siguroi lëshimin e lejeve të udhëtimit për 3.199 personat e strehuar aty dhe organizoi shoqërimin e tyre drejt aeroportit të Rinasit, duke e ditur rrezikun.
Ai thotë se ushtria donte të sulmonte ambasadat, në veçanti ambasadën gjermane, por kjo nuk ndodhi falë OKB-së.
Gazetarja: A keni pasur ndonjëherë frikë për veten apo për stafin tuaj?
Daum: Duke kthyer kokën pas, them se po. Ishte shumë e rrezikshme dhe ne ishim pranë një sulmi nga ushtria apo nga Sigurimi. Këtë e mësova më vonë. Por në ato momente, nuk kishim kohë, nuk e kishim luksin për të menduar. Unë dhe stafi im ishim të kapluar nga rrethanat. Nuk flinim mirë. Ndoshta flinim edhe një orë apo dy çdo dite. Nuk kishim kohë për të menduar. Thjesht përpiqeshim të gjenim pak bukë në qytet, disa domate. Furrat e bukës ishin urdhëruar nga qeveria që të mos i shisnin ujë punonjësve të mi. Uji ishte ndërprerë për ambasadën. Tani, përfytyrojeni vetë sesi mund të ishin kushtet higjienike për 3,000 persona pa tualetë.
Gazetarja: Pra, ju mendoni se ekzistonte vërtet rreziku që autoritetet shqiptare të hynin me forcë në ambasadë për të larguar refugjatët?
Daum: E di që po e planifikonin seriozisht. Ushtria donte të sulmonte ambasadat, në veçanti ambasadën time. Kjo nuk ndodhi. Por ne atëherë nuk kishim kohë për të reflektuar. Nuk kishim kohë për të menduar. Në një situatë të tillë krize, është si në rastin kur ke pësuar një aksident – nuk e ndien dhimbjen në atë moment, e ndien më pas. Por unë këtë e di mirë: ishim në prag të një sulmi. Dhe nëse fjalën e fundit do ta kishte pasur ushtria- dhe këtë e kam dëgjuar më vonë nga persona të përfshirë – sot unë nuk do të isha gjallë. Nuk do të kishte mbijetuar as stafi im, dhe as shqiptarët që ishin brenda ambasadës.
Por nga ana tjetër, qeveria ishte plotësisht e vetëdijshme që gjithë bota po e shikonte. Nuk ishte vetëm Gjermania – ishte Italia, Franca, Greqia dhe të tjera vende me ndikim më të vogël në skenën ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Pérez de Cuéllar, ushtroi presion të fortë mbi Ramiz Alinë. Dërgoi zëvendësin e tij, z. de Mistura. Në Shqipëri e dinin se ndoshta do të kishin mundur ta “pastronin” ambasadën. Mund edhe ta kishin bërë, por ky do të kishte qenë vërtet fundi i Shqipërisë. …Cështja është se nuk ishin vetëm 3,199 njerëzit në ambasadën time, apo 1,200 në ambasadën italiane, apo 600 në ambasadën franceze, ishin 3 milionë shqiptarë që kërkonin të dëgjoheshin. Në 10 korrik atëherë, ishte dita e finales së Kampionatit Botëror të Futbollit – Gjermania kundër Argjentinës. Tirana ishte e qetë – si zhurmat e një pylli, vetëm fëshfërima. Ishte absolutisht qetësi – dhe në atë moment, goli i famshëm!
Të gjithë në Tiranë, ose të paktën gratë, dolën nëpër dritare ose në rrugë me tenxheret e tyre dhe bënë një zhurmë të jashtëzakonshme. Tirana nuk po festonte fitoren e Gjermanisë ndaj Argjentinës. Tirana po festonte fitoren e shqiptarëve ndaj qeverisë së vet.
Top Channel