
Në ambasadën e Shqipërisë në Londër është prezantuar një studim i Aurora Kapos se si media britanike i përshkruan shqiptarët e atjeshëm.
Ky studim i disponuar prej gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, analizon artikujt e publikuar në periudhën kohore 2021-2024 në median britanike dhe zbulon paragjykimet në lajmet që përmendin shqiptarët.
Janë analizuar 500 artikuj duke kërkuar me fjalën kyçe “Shqiptarët në Britaninë e Madhe” dhe “Shqiptarët”.
Në 595 raste në shkrime është përmendur fjalia “gangsterët shqiptarë” të arrestuar për tregti droge. “Ndalohen shqiptarët ilegal për tu dëbuar” kjo fjali është përdorur në median britanike në 473 raste.
Ndërkohë në retorikën e politikanëve anglez shqiptarët të cilët mbërrijnë ilegalisht dhe kërkojnë azil është përdorur në 350 raste.
Kjo tabelë tregon se gjatë vitit 2021 media britanike në artikujt e saj i përmendi shqiptarët pozitivisht 29.38%. Negativisht 53.91% dhe në mënyrë neutrale 16.71%.
Nga analiza e artikujve për vitet 2022-2023 zbulohet se media britanike e shtoi përmendjen negative të Shqiptarëve me respektivisht 54.28 % dhe 56.73%.
Po për të njëjtën periudhë kohe janë parë shkrimet për komunitetin Rumun në Britaninë e Madhe nga ku është zbuluar se komentet negative për vitet 2021-2023 janë shumë herë më të vogla krahasuar me komunitetin shqiptarë.
Në analizën e saj Aurora Kapo mbërrin në përfundimin se shkrimet e medias britanike tregojnë një fokus të theksuar në temat negative, veçanërisht krimin dhe emigracionin e paligjshëm, të cilat janë lidhur në mënyrë të vazhdueshme me komunitetin shqiptar.
Kjo lidhje pasqyrohet si në frekuencën e përdorimit të epiteteve negativë si “i paligjshëm” dhe “kriminelë ”, ashtu edhe në përqindjen e lartë të ndjeshmërisë negative në artikujt e lajmeve, e cila ka qëndruar mbi 55% gjatë viteve të studiuara.
Krahasimi me mënyrën se si paraqiten rumunët nxjerr në pah një dinamikë interesante. Sipas autores të këtij studimi, “ndërsa të dy grupet lidhen me kriminalitetin, mbulimi mediatik për rumunët është disi më neutral dhe më pak paragjykues.
Kjo mospërputhje thekson theksimin selektiv në raportimet mediatike, ku sjellje të ngjashme paraqiten ndryshe në varësi të kombësisë së përfshirë.
Një kornizim i tillë selektiv jo vetëm që formëson perceptimin publik, por edhe përforcon stereotipet, veçanërisht kundër grupeve si shqiptarët, të cilët paraqiten në mënyrë më negative.
Top Channel