
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka riafirmuar mbështetjen e tij të pakushtëzuar për luftën e Rusisë në Ukrainë gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të zhvilluar në qytetin portual Wonsan.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, Kim shprehu mbështetjen për “të gjitha masat e marra nga udhëheqja ruse për të trajtuar shkakun rrënjësor të krizës ukrainase”, dhe shprehu bindjen se “ushtria dhe populli rus do të fitojnë në përmbushjen e kauzës së shenjtë të mbrojtjes së dinjitetit dhe interesave themelore të vendit.”
Takimi u zhvillua në një “atmosferë të ngrohtë dhe miqësore”, sipas mediave të dy vendeve. Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi një video në Telegram ku shihen Kim dhe Lavrov duke u përshëndetur me një përqafim dhe shtrëngim duarsh.
Zyrtarë perëndimorë kanë raportuar se Pheniani ka dërguar rreth 11,000 trupa në Rusi gjatë vitit të kaluar, të angazhuar në luftimet kundër Ukrainës. Për herë të parë, Pheniani e pranoi publikisht këtë në prill, disa muaj pasi perëndimi kishte zbuluar praninë e trupave koreano-veriore në vijën e frontit.
Krahas ndihmës ushtarake, Koreja e Veriut ka premtuar edhe mijëra punëtorë për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit Kursk, një zonë ruse e dëmtuar rëndë nga lufta, sipas një deklarate të shefit të sigurisë së Moskës muajin e kaluar.
Në qershor të vitit të kaluar, Kim Jong Un dhe Presidenti rus Vladimir Putin nënshkruan një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë në rast të një “agresioni” ndaj njërës palë. Kjo marrëveshje ka konsoliduar më tej aleancën mes dy regjimeve autoritare, të cilat ndajnë kundërshtimin ndaj Perëndimit dhe NATO-s.
Top Channel