Intervista e plotë/ “Kush më fliste merrej nga Sigurimi”, nga takimet me zyrtarët, tek rreziku nga regjimi/ Rrëfimi i fundit i ish ambasadorit gjerman para se të ndërronte jetë

13/07/2025 21:55

2 korrikun e vitit 1990, me të vetmen armë në duart dhe zemrat e tyre shpresën, shqiptarët mposhtën frikën e rrënjosur thellë në deje prej regjimit ndoshta më të egër komunist të Europës Lindore, dhe zgjodhën t`i dorëzohen të panjohurës.

5 mijë vetë mësynë ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë, pa asnjë garanci se nuk do të ktheheshin në viktimat e shteti hakmarrës diktatorial, që edhe pse dukej në grahmat e fundit, për individin rebel mbetej një kërcënim.

Pjesa dërrmuese e tyre, mbi 3.000 persona, arritën të hynin në ambasadën gjermane, territori i së cilës u kthye në atë moment për ta në Tokën e Premtuar.

Njeriu që çeli ambasadën gjermane në Shqipëri në 1987-tën, ishte ai që tre vjet më vonë do të kthehej në dëshmitar e njëkohësisht, edhe protagonist të të paimagjinueshmes, duke i hapur dyert e godinës së re të sapo përfunduar të këtij misioni, e duke i ndihmuar të hynin njerëzit e etur për liri dhe për një jetë më të mirë në Perëndimin e Artë: Për botën sot, profesor doktor Werner Daum, qe një studiues dhe diplomat në pension, Profesor në Universitetin e Pavias dhe bashkëpunëtor shkencor i Universitetit prestigjoz të Harvardit. Për ne shqiptarët, ai ishte edhe më shumë se kaq: Werner Daum ishte memorie, dhe pjesë e historisë.

Ish ambasadori Daum luajti një rol vendimtar në ngjarjet e fillim-korrikut te tre dekadave e gjysmë më parë, të cilat do të shënonin nisjen e skizmës së madhe politike në Shqipërinë komuniste. Ai arriti të menaxhonte krizën humanitare që zgjati me ditë të tëra:

Duke mbajtur në dore deklaratën Universale për të drejtat e njeriut dhe pa autorizim paraprak nga Ministria e Jashtme e Republikës Gjermane, ai mbrojti qytetarët shqiptarë brenda ambasadës, siguroi lëshimin e lejeve të udhëtimit për 3.199 personat e strehuar aty dhe organizoi shoqërimin e tyre drejt aeroportit të Rinasit. I nderuar me urdhrin “Naim Frashëri”, ai sot pranon të kthehet prapa, në gjenezën e eksodit të madh të shqiptarëve.

Përkundër informacioneve që ofronin shërbimet e huaja sekrete, dhe bindjes së brendshme se Shqipëria do të vazhdonte të mbetej ai shkëmbi i granitit socialist në Adriatik, dhe një Kubë në Ballkan, ish ambasadori Daum, ishte nga të paktët që parashikoi shembjen e regjimit.

Në një rrëfim të ndjerë, ambasadori Daum pati treguar kohë më parë se si u kishte kërkuar punonjësve që pas pune para se të largoheshin të linin dritat ndezur, e derën e ambasadës pakëz të hapur…

Isha i bindur se ky regjim që nuk mban dot mijëra vetë të hyjnë në ambasada, nuk e ka të gjatë”, qe shprehur asokohe për mediat në Gjermani, ndërsa në mënyrë të pashmangshme, euforia e të shkruarit të historisë, u përplas me realitetin e ashpër.

Në sipërfaqe, uji dukej i patrazuar deri përpara 2 korrikut, edhe pse jehona e ndryshimeve në lindje të kontinentit zor të mos kishte nisur të ushqente shpresën se dallga e shembjes së regjimeve të tjera të ngjashme do të përfshinte edhe Shqipërinë.

Gushtin e 1980-tës, Lech Walesa, i cili përfaqësonte punëtorët grevistë polakë, qe ulur në një tryezë me zëvendëskryeministrin e atëhershëm polak Mieczyslaw Jagielski, për të nënshkruar një marrëveshje të përbashkët që do të hapte rrugën e sindikatës së parë të pavarur pas Perdes së Hekurt, Solidarnost, gurthemeli i kolapsit të komunizmit në Europë.

9 nëntorin e vitit 1989 bie muri i Berlinit që mbante të veçuara dy botë, dhe vjen fundi faktik i ndarjes gjermane. 16 dhjetorin e po atij viti, përpjekjet e forcave të  sigurisë të Nicolae Ceaușescu për të dëbuar një klerik në qytetin e Timisoarës, ndezën revolucionin më të përgjakshëm antikomunist në Europën Lindore, që përfundon me ekzekutimin e diktatorit, dhe shtrëngoi kësisoj lakun e fut frikën edhe në radhët e Byrosë Politike Shqiptare.

Ndërkohë, edhe rrënimi ekonomik ishte një nga faktorët kyç që po e çonin regjimin drejt një fundi të pashmangshëm, dhe për këtë, lidershipi komunist ishte i vetëdijshëm.

-Zoti Ambasador, ju ishit diplomati i parë gjerman që hapët ambasadën gjermane në Tiranë në vitin 1987. Si e mbani mend Tiranën e asaj kohe? Çfarë dinit për Shqipërinë më parë? Kush ju priti këtu dhe si i përjetuat vitet e fundit të regjimit komunist në vendin tonë?

-Kjo është një pyetje që kërkon rreth tre ditë përgjigje të pandërprerë, tri ditë të plota. Por po përpiqem ta përmbledh shkurt: Unë u prita shumë mirë nga zyrtarët, nga qeveria. Ata shfaqën shpresë të madhe për marrëdhëniet me Gjermaninë. Por e kuptova shumë vonë se populli shqiptar në fakt, vetë nuk kishte asnjë mënyrë për të më mirëpritur. Shqiptarëve nuk u lejohej të flisnin me të huaj, nuk duhet të shiheshin me të huaj. Nëse kjo ndodhte, ata merreshin në pyetje nga policia dhe Sigurimi.

– Si ju ndikoi kjo atëherë?

-Fillimisht nuk e vura re. Qeveria e kishte të lehtë, sepse kishte shumë pak të huaj në vend dhe shumica prej tyre, përveçse ishin vërtet shumë të paktë, nuk është se ishin dhe aq të interesuar për Shqipërinë. Unë isha i interesuar. Atëherë flisja dhe gjuhën, se e kisha mësuar. Tani fatkeqësisht tani e kam harruar.  ( Qesh). Por qeveria kishte vënë në skenë një shfaqje të madhe, një komedi. Dhe aktor ishte populli shqiptar. Kundër vullnetit të tij. Shqiptarët duhet të bindeshin, duhej të luanin rolet e tyre në atë komedi. Sepse përndryshe, përballeshin me një shtypje të egër.

– Pra, e shihnit si një mizanskenë të madhe…

– Nuk ishte realiteti ai që shihja, por një vepër teatrale… M’u desh goxha kohë për të kaluar  përtej asaj “perdeje” dhe për të parë çfarë fshihej prapa asaj skene të rrezikshme për shqiptarët për shkak të terrorit që ushtrohej nga regjimi ndaj çdo njeriu normal, çdo punëtori të ndershëm në Shqipëri.

– Ndërmjet viteve 1987 dhe 1990, cilin udhëheqës të regjimit keni takuar? A jeni takuar me Ramiz Alinë dhe cili është opinioni juaj për të si pasues i Enver Hoxhës?

– Unë jam diplomat, i tillë isha dhe atëherë, kështu që natyrisht më është dashur të takohem me zotin Ramiz Alia dhe me të gjithë ministrat, me të gjithë ata që kishin një funksion me përgjegjësi. Opinionet e mia personale ishin të parëndësishme, por sjellja e zyrtarëve, veçanërisht e Presidentit Alia, ishte pjesë e asaj komedie që luhej. Qeveria shqiptare përpiqej të krijonte dhe të transmetonte imazhin e një shteti normal dhe të një qeverie normale. Më është dashur të paktën një vit që të kuptoja realitetin pas asaj që thuhej dhe asaj që veprohej, dhe çfarë njerëzit detyroheshin të duronin.

– A e konsideroni atë më të moderuar se Enver Hoxhën?

– Po, natyrisht. Mendoj se janë shumë pak njerëz në botë që nuk janë më të moderuar se Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte një vrasës masiv; ai vrau…Unë do të thoja, nëse do të duhej, ai do të vriste edhe nënën e tij. Gjatë luftës, ndoshta mund të ketë qenë një lider i respektuar i rezistencës, nuk mund ta gjykoj këtë. Por sapo erdhi në pushtet, u bë i pamëshirshëm. Dhe nga ato që kam lexuar dhe dëgjuar, jeta njerëzore për të nuk vlente më shumë se ajo e një mize apo e një milingone.

– Çfarë doni të thoni me atë se ai mund të vriste edhe nënën e tij?

– Mendoj se ka një listë të gjatë njerëzish të cilët ai i ka çuar personalisht drejt vdekjes – jo duke ua prerë fytin vetë, për këtë kishte xhelatët e tij – por duke dhënë urdhra për t’i vrarë. Dhe duke dërguar nëpër kampe si ato të përqendrimit me dhjetëra mijëra shqiptarë që mendonin ndryshe, që besonin në Zot, për shembull,. Enver Hoxha është pa dyshim një nga diktatorët më të mëdhenj të shekullit XX dhe ndër më gjakatarët.

– Zoti Ambasador, si ia dolët të parashikonit rënien e regjimit komunist në një kohë kur shumica e Perëndimit besonte se Shqipëria do të mbetej bastioni i fundit i diktaturës në Europë, ose të paktën kjo mund të përceptohej nga jashtë?

– Në të vërtetë, thellë-thellë, Perëndimi nuk besonte se Shqipëria ishte bastioni i fundit, por besonte se po, ajo ishte fizikisht e izoluar nga vendet e tjera komuniste. Polonia, Gjermania Lindore – që kishin rënë në ’89 – Çekosllovakia, Rumania etj., dhe vetë Bashkimi Sovjetik me reformat e Gorbachev-it. Pra, Perëndimi e shihte Shqipërinë si të izoluar gjeografikisht, sepse midis ishte Jugosllavia, e cila, ndonëse nuk ishte një demokraci, për njerëzit e zakonshëm ishte një vend ku mund të jetohej. Le të themi, një formë e butë diktature – për sa kohë nuk e kundërshtoje hapur qeverinë. Nga ana tjetër, të gjithë e dinin që qeveria në Shqipëri, ose më saktë regjimi, partia udhëheqëse – që si për ironi e quante veten “Partia e Popullit”, gjë që nuk ishte – pati një darë shumë të fortë mbi popullin e vet. Aq të fortë sa askush nuk guxonte të përballej apo të shprehte mendimin e vet. Njerëzit rrezikonin jetën nëse shprehnin një mendim të lirë. Rrezikonin të futeshin në burg. Qeveria dukej si drejtori i një burgu të sigurisë së lartë – askush nuk priste që t’u jepte liri të burgosurve të tij.

– A keni ndjerë ju vetë rrezik?

-Të jetoje në atë periudhë dhe thjesht të dëgjosh për të, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Unë vetë isha i sigurt personalisht. Por e kuptova shumë shpejt që nëse dikush shihej duke folur me mua në rrugë, thirrej menjëherë në komisariat dhe merrej në pyetje. Madje mbaj mend që kam takuar pothuajse të gjithë shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë dhe shumë intelektualë, mes tyre edhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, Ismail Kadare. E takova zyrtarisht në godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila me shumë gjasë kishte mikrofonë. Ashtu si edhe banesa ime në fund të fundit. Kudo kishte mikrofonë. Edhe Kadareja, – siç më tregoi vetë pas vitit 1990 – ishte marrë në pyetje nga Sigurimi. Një njeri i respektuar dhe i njohur në të gjithë botën, por as ai nuk ishte i përjashtuar nga dyshimi.

-Ju e latë hapur derën e ambasadës, kishit marrë ndonjë sinjal për atë që mund të ndodhte? Ishte iniciativa juaj?

-Po, dera e hapur, e mbaj mend. I thashë stafit ta linin pak hapur. Po, ishte iniciativa ime. Përse e bëra? Po sepse pavarësisht politikave të qeverisë, unë arrita të flisja me njerëzit. Njerëzit më afroheshin – sidomos të rinjtë. Pak më pak në Tiranë, por edhe atje, ndonëse qeveria e mbante popullin shumë fort nën kontroll. Por jashtë Tiranës – në Shkodër, në Durrës, në Elbasan, në Butrint, në Kukës – udhëtova kudo. E adhurova këtë vend, sepse është i mrekullueshëm. Por, ndoshta edhe më shumë, adhurova popullin e tij. Dhe e ndjeja, e perceptoja prej gati një viti, që nga fillimi i 1989-tës, se po piqeshin kushtet për një revolucion.  Njerëzit kishin ndryshuar. Nuk kishin më frikë totale nga reagimi i regjimit. Gati çdo muaj e ndjeja gjithnjë e më shumë atë frymë rebelimi, atë dëshirë për të dalë nga shtypja. Dëshira për të jetuar të lirë, për të qenë të lirë të takoheshin me të tjerët, për të udhëtuar jashtë vendit, për të përmirësuar kushtet ekonomike – e gjitha kjo po rritej jo gradualisht, por me hapa gjigantë. Në vitin 1989 mbaj mend posaçërisht që dëgjova për një grumbullim të mijëra katolikëve pranë Lezhës. Dëgjova për grumbullime edhe në vende të tjera. Dhe në vitin 1990 dëgjova se njerëzit kishin dalë në rrugë në Kavajë për të protestuar kundër qeverisë. Ata nuk kishin më frikë, edhe pse përballeshin edhe më mundësinë që të vriteshin. Klima e çlirimit ishte aty. Qeveria mund të kontrollonte ende rrugët, por nuk kontrollonte më mendjet e njerëzve – sidomos të të rinjve. Isha i sigurt se duhej vetëm një shkëndijë, një shkëndijë e vogël, për ta shpërthyer dhe për t’i dhënë fund kësaj diktature. Dhe mendova se kjo mund të ishte edhe mundësia ime.

Le ta them shumë qartë: Nuk e lashtë hapur atë derë për arsye humanitare. Kjo ishte një pjesë e arsyes. Por motivimi im kryesor ishte se ndihesha i sigurt që një lëvizje e madhe si ajo do ta përmbyste atë forcë qeveritare – atë qeveri mizore, si ato diktaturat e mëdha të shekullit XX, si nacional-socializmi në Gjermani, si komunizmi sovjetik nën Stalinin. Dhe ende ndihem shumë i lumtur që dhashë dhe unë një dorë në revolucionin e popullit shqiptar.

-A keni pasur ndonjëherë frikë për veten apo për stafin tuaj?

-Duke kthyer kokën pas, them se po. Ishte shumë e rrezikshme dhe ne ishim pranë një sulmi nga ushtria apo nga Sigurimi. Këtë e mësova më vonë. Por në ato momente, nuk kishim kohë, nuk e kishim luksin për të menduar. Unë dhe stafi im ishim të kapluar nga rrethanat. Nuk flinim mirë. Ndoshta flinim edhe një orë apo dy çdo ditë. Nuk kishim kohë për të menduar. Thjesht përpiqeshim të gjenim pak bukë në qytet, disa domate. Furrat e bukës ishin urdhëruar nga qeveria që të mos i shisnin ujë punonjësve të mi. Uji ishte ndërprerë për ambasadën. Tani, përfytyrojeni vetë sesi mund të ishin kushtet higjienike për 3,000 persona pa tualete.

– Pra, ju mendoni se ekzistonte vërtet rreziku që autoritetet shqiptare të hynin me forcë në ambasadë për të larguar refugjatët?

-E di që po e planifikonin seriozisht. Ushtria donte të sulmonte ambasadat, në veçanti ambasadën time. Kjo nuk ndodhi. Por ne atëherë nuk kishim kohë për të reflektuar. Nuk kishim kohë për të menduar. Në një situatë të tillë krize, është si në rastin kur ke pësuar një aksident – nuk e ndien dhimbjen në atë moment, e ndien më pas. Por unë këtë e di mirë: ishim në prag të një sulmi. Dhe nëse fjalën e fundit do ta kishte pasur ushtria- dhe këtë e kam dëgjuar më vonë nga persona të përfshirë – sot unë nuk do të isha gjallë. Nuk do të kishte mbijetuar as stafi im, dhe as shqiptarët që ishin brenda ambasadës.

 Por nga ana tjetër, qeveria ishte plotësisht e vetëdijshme që gjithë bota po e shikonte. Nuk ishte vetëm Gjermania – ishte Italia, Franca, Greqia dhe të tjera vende me ndikim më të vogël në skenën ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Pérez de Cuéllar, ushtroi presion të fortë mbi Ramiz Alinë. Dërgoi zëvendësin e tij, z. de Mistura. Në Shqipëri e dinin se ndoshta do të kishin mundur ta “pastronin” ambasadën. Mund edhe ta kishin bërë, por ky do të kishte qenë vërtet fundi i Shqipërisë. …Çështja është se nuk ishin vetëm 3,199 njerëzit në ambasadën time, apo 1,200 në ambasadën italiane, apo 600 në ambasadën franceze, ishin 3 milionë shqiptarë që kërkonin të dëgjoheshin. Në 10 korrik atëherë, ishte dita e finales së Kampionatit Botëror të Futbollit – Gjermania kundër Argjentinës. Tirana ishte e qetë – si zhurmat e një pylli, vetëm fëshfërima. Ishte absolutisht qetësi – dhe në atë moment, goli i famshëm!

Të gjithë në Tiranë, ose të paktën gratë, dolën nëpër dritare ose në rrugë me tenxheret e tyre dhe bënë një zhurmë të jashtëzakonshme. Tirana nuk po festonte fitoren e Gjermanisë ndaj Argjentinës. Tirana po festonte fitoren e shqiptarëve ndaj qeverisë së vet.

-A besoni se ngjarjet në Europën Lindore, revolucioni në Rumani dhe fundi tragjik i Causheskut, apo edhe vetë apo rënia e Murit të Berlinit  shërbyen si katalizator për eksodin masiv të shqiptarëve? Apo  ambasadat u përdorën si një valvul sigurie e toleruar nga regjimi për të matur pakënaqësinë popullore?

-Aspak, kjo e fundit jo. Sigurisht që ngjarjet në vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore u ndoqën nga shqiptarët dhe forcuan ndjesinë se “duhet të vinte koha për ndryshim”. Pra, ishte ky lloj ndikimi. Por qeveria, regjimi në Shqipëri besonte se mund të ruante pushtetin, dhe se do të mund ta mbërthente atë përjetësisht. Ata e besonin këtë gjë, njësoj si Enver Hoxha dhe sit ë gjithë diktatorët që humbin kontaktin me popullin e tyre. Këta njerëz jetojnë në një botë imagjinare, dhe nuk e kuptojnë në një moment se koha e tyre ka ardhur, dhe se rënia është e pashmangshme.

– Është interesante, sepse këtu është përfolur se kriza e ambasadave mund të jetë provokuar apo manipuluar nga regjimi.

-Jo, aspak. Absolutisht jo.

-Përse mendoni se kaq shumë shqiptarë zgjodhën pikërisht ambasadën gjermane si destinacionin e tyre? U ndikuan nga imazhi i Gjermanisë si një vend mik, ndoshta i forcuar nga vizita e kryeministrit bavarez Franz Josef Strauss?

-Franz Josef Strauss ishte këtu pikërisht ditën kur unë hapa ambasadën. Pra, kjo ndodhi tre vjet përpara ngjarjeve të 2 korrikut 1990. Straus erdhi me avion privat, unë e pata të vështirë mbërritjen. Atëherë nuk mund të vije me linjë normale fluturimi nga Gjermania në Tiranë. Duhej të merrja trenin nga Gjermania në Austri, pastaj në Beograd. Më pas duhej të prisja avionin – një DC-3, e kujtoj shumë mirë, një avion i ndërtuar në vitin 1944 – i cili u vonua thuajse gjysmë dite. Por arrita këtu rreth mesditës. Më pritën në Rinas. Shkova në hotel “Dajti”. Aty aplikova për rikthimin. Vendosa një tabelë ku shkruhej “Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë” në derën e një prej dhomave të hotelit nr. 90. Kjo ishte ambasada. Pastaj u ktheva në Rinas për të mirëpritur zotin Strauss. E shoqërova gjatë tre ditëve të ardhshme dhe duhet të them se u bëmë miq.

– A ishte ndihma gjermane e ofruar në atë kohë e mirëpritur në Shqipëri?

– Ne kishim një linjë mjaft të konsiderueshme buxheti për këtë gjë. Ishim të hapur për Shqipërinë, për ndihma dhe projekte. Më kujtohet shumë mirë që gjëja e parë që mendova ishte ndihma në bujqësi, dërguam ekspertë  dhe ramë dakord. Dhjetëra lopë qumështi të racave moderne u sollën me anije. Kishim dhe projekte të tjera, po. Funksionoi. Dhe ishte pjesë e detyrës sime jo vetëm të vendosja marrëdhënie politike, por edhe të angazhohesha me vendin, sidomos me njerëzit.

– A mund të ishte bërë ndoshta asokohe Shqipëria një lloj protektorati i Gjermanisë? A duhet ta shohim si një shans të humbur?

– Jo, aspak, jo. Dëshira jonë – ashtu siç kishim marrëdhënie të forta politike, ekonomike dhe sociale me çdo vend tjetër në Europë, përveç Shqipërisë – ishte që ta mirëprisnim Shqipërinë në familjen e kombeve europiane. Dhe jo vetëm qeverinë zyrtare, por popullin, dhe vetë vendin.

– Sipas jush, sa ndikoi situata ekonomike në Shqipëri në rënien e regjimit? Apo ishte më vendimtare era e ndryshimeve politike që po frynte nga jashtë kufijve?

– Sigurisht që rrënimi ekonomik luajti rolin e vet. Shqiptarët ishin shumë, shumë të varfër. Komunikimet moderne, radioja dhe televizioni ishin faktorë tronditës për ta, sepse  bota përreth jetonte ndryshe. Pra, sigurisht që luajti një rol, edhe pse qeveria besoi se mund ta mbante të fshehur realitetin.

Si  e shihni Shqipërinë sot, në rrugën e saj drejt BE-së? A është përmbushur ëndrra e atyre njerëzve që hyjnë ne ambasadën gjermane tre dekada më pare?

– Në një masë shumë të madhe, jam i sigurt që po. Shqipëria është tashmë pjesë e botës bashkëkohore. Do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian — herët a vonë, më shumë herët se vonë. Edhe pse ka ende punë për të bërë, ka ende sfida të reja të cilat brezat e rinj duhet t’i përballojnë dhe t’u japin zgjidhje, por unë jam i sigurt se do t’ia dalin.

2 korriku 1990 nuk ishte thjesht një krizë ishte një revolucion. Ishte momenti kur frika u shemb – dhe shpresa u ngrit në këmbë. Shqipëria ecën sot drejt Europës, dhe dera që u hap dikur për të shpëtuar mijëra jetë, mbetet gjithmonë simbol i guximit, sfidës dhe shpirtit të pathyeshëm të një populli që rebelohet ndaj shtypjes e padrejtësisë…

Top Channel