“Pse e ndërpreve”/ Zbulimi i frikshëm për aksidentin tragjik të Air India, një nga pilotët çaktivizoi çelësat e kontrollit të karburantit?

12/07/2025 22:12

Hetimet e deritanishme kanë bërë një zbulim të frikshëm për rrëzimin e avionit të Air India, ku humbën jetën 260 persona në qershor.

Vetëm pak sekonda pas ngritjes, dy çelësat e kontrollit të karburantit të Boeing 787 Dreamliner, që ishte në funksion prej 12 vjetësh, u çaktivizuan papritur, duke i lënë motorët pa karburant dhe duke shkaktuar ndërprerje totale të energjisë.

Kjo procedurë zakonisht bëhet vetëm pas uljes së një avioni. Regjistrimi i zërit në kabinë tregon një pilot duke pyetur tjetrin se pse “e bëri ndërprerjen”, të cilit ai i përgjigjet se nuk e bëri një gjë të tillë. Regjistrimi nuk sqaron se kush tha çfarë. Në kohën e ngritjes, piloti i dytë ishte në kontroll të avionit, ndërsa kapiteni po monitoronte.

Çelësat u kthyen në pozicionin e tyre normal gjatë fluturimit, duke shkaktuar lehtësimin automatik të motorit. Në kohën e rrëzimit, njëri motor po rifitonte fuqinë, ndërsa tjetri ishte rikuperuar, por ende nuk e kishte marrë energji. Fluturimi 171 i Air India qëndroi në ajër për më pak se një minutë përpara se të përplasej në një lagje të mbushur me njerëz në qytetin perëndimor indian të Ahmedabadit, duke shënuar një nga aksidentet më të çuditshme të aviacionit në Indi.

Avioni i Air India u ngjit 625 metra në ajër, në mot të kthjellët përpara se të humbiste të dhënat e vendndodhjes rreth 50 sekonda më vonë, sipas faqes së internetit FlightRadar24. Raporti paraprak nga hetimi – i udhëhequr nga autoritetet indiane me ekspertë nga Boeing, General Electric, Air India, rregullatorët indianë dhe përfaqësues nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar – ngrenë disa pyetje. Hetuesit thonë se çelësat e karburantit me levë janë projektuar për të parandaluar aktivizimin aksidental, ato duhet të tërhiqen lart për t’u zhbllokuar, një veçori sigurie që daton që nga vitet ’50.

Top Channel