Inter, Asllani refuzon transferimin te Betis: dëshiron të qëndrojë në Itali, pëlqehet nga …

12/07/2025 16:00

Te Interi, mesfushori i Kombetares shqiptare Kristjan Asllani mbetet një enigmë.

Mesfushori shqiptar nuk bën më pjesë në planet e klubit, por deri tani situata e tij nuk po arrin të zhbllokohet. Në tre sezone me fanellën zikaltër, ish-lojtari i Empolit nuk ka arritur të fitojë një rol protagonisti dhe, pas mbërritjes së Petar Sucic, drejtuesit kanë vendosur ta nxjerrin në merkato për të siguruar një shumë rreth 18-20 milionë euro, që do të përdorej për objektiva të tjerë merkatoje. Një mision aspak i lehtë, mesa duket. Si për shkak të shumës së kërkuar, ashtu edhe për dëshirën e vetë lojtarit, i cili në rast largimi dëshiron të qëndrojë në Itali.

Opsioni Betis është hedhur poshtë, si për shkak të ofertës shumë të ulët të klubit spanjoll, ashtu edhe sepse nuk ishte një destinacion i pëlqyeshëm për lojtarin. Për momentin, te Pinetina situata e Asllanit duket e bllokuar në një pikë të vdekur. Në Serie A, ditët e fundit, interes konkret për shqiptarin kanë shfaqur veçanërisht Bologna dhe Fiorentina, por qëndrimi i Interit për të negociuar vetëm për një shitje përfundimtare po e bën gjithçka më të komplikuar.

Nëse Calhanoglu do të qëndronte te zikaltrit, në repartin e mesfushës Interi do të ishte i kompletuar nga ana numerike me Petar Sucic, ndërsa Asllani do të konsiderohej një “tepricë” që duhet shitur tek ofertuesi më i mirë. Ndoshta duke rishikuar formulën fillestare të transferimit të shqiptarit, për t’u afruar më shumë me kërkesat e klubeve të interesuara për të përforcuar mesfushën dhe për të besuar te numri 21 zikaltër. Te Interi po kërkohet një zgjidhje për çështjen Asllani.

Top Channel