
Qyteti bregdetar i Himarës ka qenë ndalesa e radhës për trupën e spektaklit të humorit “Verë dhe Portokalle”, duke sjellë një mbrëmje plot ngjyra dhe të qeshura në sheshin e Potamit.
Në një atmosferë elektrizuese, aktorët e njohur të Portokallisë performuan për qindra spektatorë, mes të cilëve jo vetëm banorë të zonës, por edhe pushues vendas dhe të huaj.
Edhe pse nuk kuptonin gjuhën, shumë prej turistëve të huaj qeshnin me mimikën dhe lojën skenike të aktorëve, duke u bërë pjesë e të njëjtit entuziazëm me artdashësit vendas.
efekte
Shfaqja vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa sheshi u mbush plot, duke krijuar një ndjesi feste verore që i dha tjetër ritëm Himarës.
Pas mbarimit të shfaqjes, shumë prej spektatorëve nuk u larguan menjëherë, por qëndruan për të bërë foto dhe për të ndarë momente me aktorët e dashur të humorit shqiptar.
“Verë dhe Portokalle” do të vijojë rrugëtimin e saj në qytetin e radhës, ku ndalesa tjetër është kryeqyteti, Tirana. Një turne që jo vetëm sjell humorin në çdo cep të Shqipërisë, por edhe bashkon njerëzit në një atmosferë gëzimi dhe arti.
Top Channel