Pekini mohon se ka marrë të dhëna të përdoruesve nga TikTok, ministri i Jashtëm kinez: I kushtojmë rëndësi të madhe konfidencialitetit

11/07/2025 13:42

Qeveria kineze mohoi se ishte e përfshirë në ndonjë ruajtje të paligjshme të të dhënave personale në servera të vendosur në territorin kinez, pasi BE nisi një hetim ndaj TikTok.

“Qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe konfidencialitetit dhe sigurisë së të dhënave dhe i mbron ato siç kërkohet me ligj”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

Sipas Ning, Pekini “nuk ka kërkuar kurrë dhe nuk do të kërkojë kurrë nga kompanitë ose individët të mbledhin ose ruajnë në mënyrë të paligjshme të dhëna personale”.

“Shpresojmë që pala europiane të respektojë ekonominë e tregut dhe konkurrencën e drejtë dhe të ofrojë një mjedis biznesi të drejtë, të barabartë dhe jo-diskriminues për kompanitë nga të gjitha vendet”, shtoi Mao.

Autoriteti irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), duke vepruar në emër të BE-së, nisi një hetim ndaj TikTok të enjten mbi ruajtjen nga platforma të të dhënave personale të përdoruesve evropianë në servera kinezë, gjë që mund të jetë e paligjshme.

TikTok, platforma me 1.5 miliardë përdorues, është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, dhe selia europiane e TikTok, si shumica e gjigantëve të teknologjisë, është në Irlandë.

Platforma e mediave sociale ka qenë nën shqyrtim për vite me radhë nga vendet perëndimore të shqetësuara për lidhjet e saj me Pekinin dhe përdorimin e mundshëm të të dhënave të përdoruesve të saj për qëllime spiunazhi dhe propagande.

DPC gjobiti TikTok me 530 milionë euro në fillim të majit për dështimin në mbrojtjen e duhur të të dhënave personale të europianëve, të cilat aksesohen nga distanca nga Kina, por ruhen jashtë vendit.

Gjatë këtij hetimi, TikTok pranoi se disa të dhëna evropiane nuk ishin më të arritshme, por ishin ruajtur në Kinë dhe që atëherë ishin fshirë.

Kompania përmendi një problem teknik dhe siguroi se “nuk kishte marrë kurrë një kërkesë” nga autoritetet kineze dhe “nuk u kishte ofruar kurrë atyre të dhëna të përdoruesve evropianë”.

Megjithatë, sipas DPC, nuk ishte në gjendje të ofronte garanci për të parandaluar aksesin e mundshëm të autoriteteve kineze në këto të dhëna përmes legjislacionit kundër terrorizmit dhe spiunazhit.

Qëllimi i hetimit të ri “është të përcaktojë nëse platforma e mediave sociale ka përmbushur detyrimet e saj përkatëse sipas GDPR (Rregullorja e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave) në kontekstin e këtyre transferimeve”, shpjegoi DPC të enjten.

Top Channel